Arbëri

Pandemia mund t’i shpëtojë disa të akuzuar të profilit të lartë

Pandemia mund t’i shpëtojë disa të akuzuar të profilit të lartë

Katër javë i ka në dispozicion Prokuroria Speciale e Kosovës që të ngrejë aktakuzë për hetimin e zyrtarëve të lartë, të cilët dyshohet se kanë votuar në favor të marrëveshjes, nëpërmjet së cilës i janë falur katër hidrocentrale konsorciumit “Çalik holding Limak”. Për këtë rast janë duke u hetuar disa ish-ministra.

Javë më parë gazeta është njoftuar se aktakuza është shkruar, por ajo nuk është dorëzuar në gjykatë. Nëse aktakuza nuk dorëzohet deri në fillim të majit, atëherë përfundon afati kohor i hetimeve. Ngritja e aktakuzës e shpëton këtë lëndë nga parashkrimi. Parashkrimi final evitohet edhe nëse gjykimi kryhet për më pak se dy vjet. Ky afat kohor, nisur nga praktikat e deritashme është i shkurtër – të rralla janë rastet e profilit të lartë që kanë marrë epilog gjyqësor brenda 24 muajve.