Arbëri

Haxhiu thotë se ka kërkuar nga Bislimi që Shërbimi Korrektues të futet në pakon emergjente

Foto: Driton Paçarada / KD

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka kërkuar nga ministri i Financave, që të gjenden mundësitë që edhe shërbimi korrektues të jetë i përfshirë në pakon e emergjencës.

Ajo këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, derisa ka potencuar se këtë e ka bërë pas kërkesave nga zyrtarët e SHKK-së.

“Kam kërkuar po ashtu nga drejtori i ShKK, raport për zyrtarët që kanë qenë direkt të ndërlidhur me zbatimin e masave kundër COVID në burgje. Pas dorëzimit të këtij raporti, të njëjtin do ta përcjellë edhe në Ministri të Financave dhe së bashku do të shohim mundësitë e përfshirjes së tyre. Personeli i shërbimit korrektues, deri tani ka qenë në krye të detyrës dhe ka qenë i përkushtuar për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të burgosurve prandaj do ta kenë mbështetjen time, jo vetëm tani por në vazhdimësi sepse në agjendën time legjislative ka qenë prioritet edhe procedimi në Kuvend i ligjit të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka shkruar se Ligjin për Shërbimin Korrektues dhe shumë ligje tjera, tentuan t’i ndalin ata që e rrëzuan Qeverinë.

“Fatkeqësisht atyre që nuk iu përshtatet përparimi, rrëzuan Qeverinë, duke tentuar të ndalnin edhe këtë ligj por edhe ligjin për administratën e sistemit të drejtësisë, atë të konfiskimit, vetingun dhe shumë reforma të tjera. Por siç e dini, kjo është vetëm një vonesë të cilën do ta kapërcejmë së bashku”, ka shkruar Haxhiu.