Arbëri

“Përplasje” mes MSH-së e Komunës së Malishevës lidhur me furnizimin me materiale mbrojtëse rreth Covid-19

Foto: Koha

Përmes komunikatave për media ka nisur një përplasje nga larg mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Malishevës.

Krejt nisi nga një konferencë e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili sot vizitoi Malishevën e siç tha ai, deshi ta shoh nga afër gjendjen e krijuar pas shfaqjes së virusit COVID-19 dhe hyrjes në karantinë të kësaj komune. Nga atje, Limaj tha se e ka shqetësuar fakti se Qeveria s’ka bërë mjaftueshëm për Malishevën dhe se atje mungojnë edhe mjetet elementare.

Menjëherë reagoi Ministria e Shëndetësisë, e cila përmes një komunikate për media tha se ‘dëshiron ta informojnë drejt publikun’. Më pas përmendi furnizimet që i ka bërë për këtë komunë.

“Me datën 11 mars 2020, ende pa pasur asnjë rast të vërtetur me Covid-19 në Malishevë, MSh e ka furnizuar QKMF-në e kësaj komune me: 90 Maska Respirator FFP2, 80 Veshje për personelin shëndetësor, 1800 dorëza, 40 dezinfektues, 4 termometra infra red”, thuhet ndër tjera.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Komunës së Malishevës. Kjo komunë thotë se s’ka marrë ndihmë të mjaftueshme nga MSH-ja.

“Pas reagimit të Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me furnizimet me material mbrojtës për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, në kuadër të masave për luftimin e pandemisë COVID-19, pa dashur të hyjmë në polemikë, por për të kërkuar furnizime, na detyruan edhe neve si komunë që ta sqarojmë opinion publik, por edhe ministrinë me një shembull të thjeshtë, 890 maska të dërguara, mjaftojnë vetëm për 6 ditë për personelin e QKMF-së. Në QKMF të Malishevës, janë gjithsejtë 144 punëtorë shëndetësorë, të cilët përballen çdo ditë me rrezikun e pandemisë COVID-19. Nga furnizimet të cilat më në fund i bëri publike edhe ministria, nga data 11 mars, e deri më sot, në furnizimet e saj ka sjellë gjithsejtë 890 maska mbrojtëse, e nëse kjo pjesëtohet me numrin e personelit që punon 24 orë në ditë, ky furnizim është i mjaftueshëm vetëm për 6.1 ditë. A është kjo e mjaftueshme, le ta vlerëson vet ministria!”., thuhet ndër tjera.

Komuna thotë se “nga data 11 mars, e deri më sot, janë 17 ditë, ndërsa maska mbrojtëse janë sjellë vetëm për 6 ditë”.

“E vlerësojmë punën e Ministrisë së Shëndetësisë, sikur edhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Klinikës Infektive, Policisë së Kosovës, si dhe të shtabit emergjent komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19, dhe vazhdojmë të kërkojmë më shumë përkrahje për Malishevën, pasi edhe numri i të prekurve me COVID-19, e tregon më së miri gjendjen”, thuhet në reagimin e Komunës së Malishevës.

Por MSH-ja, thotë se me datë 15 mars 2020, QKMF e Malishevës është furnizuar me 500 maska mbrojtëse dhe 4800 dorëza sterile dhe jo sterile.

“Me datë 20 mars 2020, QKMF e Malishevës është furnizuar me 100 Respirator Maska FFP, 40 veshje (L), 40 veshje (M), 30 veshje (L), 40 mburojë për fytyrë, 10 syze mbrojtëse, 4000 dorëza (L), 4000 dorëza (M), 50 litra alkool etilik, 4 dezinfektues 500 ml. Me datë 27 mars 2020, QKMF në Malishevë është furnizuar me 120 Respirator Maska FFP2, 100 maska kirurgjike, 50 rroba mbrojtëse, 10 sete sterile (kombilizone), 1 Dezinfetktues 5 litërsh, 10 qese 15x80, 10 qese 600 x780, 100 përparëse për një përdorim, 10 këmisha për pacientë, 96 letra (rollne) higjienike, 48 litra alkool etilik, 1000 dorëza (M), 1000 dorëza (L), 100 kalaqe”, thuhet ndër tjera.

MSH-ja, gjithashtu thotë se krahas furnizimeve të dedikuara për mbrojtje nga Covid-19, QKMF e Malishevës ka marrë edhe furnizimin tjetër të rregullt me barna të Listës Esenciale.

“Me procedurat e filluara për furnzime të reja, MSh ditëve në vijim do të ngrisë edhe më tej nivelin e furnizimeve në të gjitha institucionet e vendit, përfshirë edhe Komunën e Malishevës”, përfundon reagimi.