00:04

Haradinaj: Slavoj Zhizheku është llom e përtej llomit

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se filozofi slloven, Slovaj Zhizhek është llom i llomave.

Haradinaj thotë se Zhizhek nuk guxon të ofendojë 62 të zgjedhur të popullit.

“Nuk mundet me thënë një Slavoj Zhizhek i Sllovenisë, llomi politik. Ai është llom e përtej llomit, se nuk guxon ai të ofendojë 62 njerëz të zgjedhur të vendit tim, një shumicë të parlamentit të Kosovës. Nëse ai e ka këtë të drejtë edhe unë e kam një të drejtë t’i them: Ti je llom, i takon një llomi botëror në këtë rast, të lobistëve të dallaverxhive, se 62 nuk mund të jenë llom. Ndoshta janë 10, 20 por s’ka mundësi që të jenë 62”, ka thënë Haradinaj.

Grusht-shteti i parë i Korona-s

Zhizhek sot ka bërë një shkrim rreth rënies së Qeverisë Kurti, duke thënë se ky ishte grushtshteti i parë i koronavirusit, derisa ka theksuar se, “Qeveria Kurti ishte ferrë në mish për të gjitha forcat politike, të cilat sipas tij, janë në gjendje të mbijetojnë vetëm në baltinën e pasioneve etnike e religjioze”.

23:51

Haradinaj: Në kohën time Thaçi ishte pothuajse pensionist, Kurti e fuqizoi

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se deklaratën e Departamentit të Shtetit amerikan, e sheh si mesazh për t’i dhënë epilog final njohjes reciproke Kosovë-Serbi.

“Nuk e shoh si proces, e shoh si energji që vjen nga Grenelli, Palmeri, Departamenti i Shtetit nga SHBA-ja, për me i dhënë një epilog final me njohje reciproke. Unë nuk e kam faktorizuar Thaçin. E kam refuzuar dialogun sepse ka qenë gabim nën Mogherinin. Por, Kurti me një qasje të gabuar e fuqizoi dhe e ktheu në lojë Thaçin. Në kohën time, presidenti ka qenë pothuajse një pensionist politik”, tha Haradinaj.

Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës, tha se “kryeministri në detyrë Kurti mundet me shkua në dialog, por pa ia ratifikuar parlamenti ajo nuk ka vlerë”.

“Nuk guxon asnjë udhëheqës politik i vendit të nënshkruajë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Kur një qeveri shkarkohet me 2/3 atëherë mendoj se është mirë me i dhënë vendit qoftë edhe qeveri të përkohshme deri në zgjedhje. Për fat të mirë buxheti është miratuar. Por, bindja ime është se duhet të ketë qeveri të unitetit. Nëse LDK-ja bën qeveri me PDK-në më i kënaqur jam me qëndruar jashtë. Nuk jemi të interesuar me ardhë në pushtet”, u shpreh Haradinaj.

23:36

Haradinaj: Dalipi ka tri shtëpi në lagjen Marigona, dy prej tyre flitet se janë të Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur në Interaktiv edhe për këshilltarin kryesor të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që është Luan Dalipi.

Haradinaj tha se Dalipi është një njeri i akuzuar për korrupsion, madje tha se ai ka tri shtëpi në lagjen Marigona, dhe se dy prej tyre janë të Kurtit.

“Zotnia që e ka zgjedh Albin Kurti me qenë shef i kabinetit të tij, Luan Dalipi, jeton në të njëjtën lagje me mua, ai zotni ka tri shtëpi në Marigonë. Dy prej tyre flitet që janë të Albinit edhe të Vetëvendosjes”, u shpreh Haradinaj, derisa u pyet nëse e ka parë Kurtin aty, ai tha, “nuk e di a e kam parë, pyeteni ju”.

“Unë kam parë Luan Dalipin që banon aty, një njëri prej 2 milionë kosovarëve u zgjodh, njeri i akuzuar për korrupsion, me aktgjykim, nuk e di ka marrë dënim apo jo. Dhe flitet në lagje se dy prej tyre janë të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes, nuk e di për çfarë i shfrytëzojnë por flitet”, tha Haradinaj.

23:33

Haradinaj – Kurtit: Unë e kam ruajtur bajrakun e Kosovës dhe e kam lëshuar karrigen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Ai në Interaktiv të KTV-së, ai tha se partia e tij e ka përkrahur mocionin e rrëzimit të qeverisë për shkak të menaxhimit keqqeverisës.

“Ne kishim disa argumente tona se pse e përkrahëm këtë mocion. Kishim vërejtje në mënyrën e menaxhimit qeverisës, në kuptimin ekonomik mendojmë se ishte një logjikë kryesisht marksiste, e kontrollit. Pastaj ndarja e buxhetit, u diskriminuan komunat me të cilat udhëheq AAK-ja. Ajo çfarë na shqetësoi ishte edhe mënyra se si Kurti vendosi të heqë taksën. Ne kemi pasur një pikëpamje tjetër për mënyrën e heqjes së taksës, jo një copëtim por negocim i këtij vendimi për kontratën finale, pra për njohjen me Serbinë. E edhe diskursi politik ndaj SHBA-së, mendoj se këto janë gabimet e tij”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, “ka mundur të pritej, sa për opozitën kjo qeveri do të shkonte për katër vjet, por partneri nuk priti dhe vendosi me vepruar”.

Sipas Haradinajt, madje Kurti pas bisedës me Merkelin ka bërë një postim ku thotë se i është kërkuar edhe heqja e reciprocitetit.

Ai thotë gjithashtu se askush nuk ia di për nderë Kurtit për heqjen e tarifës, derisa thekson se nuk mjafton përshëndetja gjysmake e Gjermanisë dhe e Francës, sepse sipas tij, “tani është koha për me ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave”.

“Kurti tash e ka ndryshuar, por thotë me e heq reciprocitetin. Ende pa i vendos të vetat, po thotë se do të heqë reciprocitetin”, ka thënë Haradinaj.

Ai madje, e ka quajtur mashtrues kryeministrin në detyrë Kurti.

“Kurti është një mashtrues i madh, në parlament atë ditë ka përdorur një retorikë fort elokuente, por mashtruese. Për bajrakun që dikush e merr dhe e len kur e merr pushtetin. Në fund të fundit z. Kurti nga një njeri me intelekt mesatar është dashtë me thanë: Ne e çmojmë sakrificën e një Haradinaj, i cili e dorëzoi pushtetin dhe taksën. Ai jo vetëm që nuk e tha këtë, por e lidhi me demarkacionin. Bulliqi e Isufi gjatë qeverisjes së tij e lëshuan punën, jo gjatë qeverisjes sime”, ka thënë Haradinaj.

“S’e kam hallin veç personal, por është rrenë. Kurti në Kuvend tha se e merrni ju bajrakun dhe e lëshoni për karrige, është e kundërta që ka ndodhur, bajrakun e Kosovës e kam ruajtur dhe e kam lëshuar karrigen. Unë e kam bërë z. Kurtin kryeministër, unë kam dhënë dorëheqje, unë s’e kam heq taksën. Kurti ka ofertuar për atë bajrak që e kam lënë, dhe e ka hequr në mënyrën më të mirë të turpshme, duke e copëtuar. E vërteta është se e lash Kosovën e fortë por vet shkova, ia dhashë mundësinë popullit”, tha Haradinaj.

Kujtojmë se Kurti u kishte thënë se “Ajo që unë besoj, është se juve ju ka ngelur merak që ju ta hiqni ju tarifën siç e bëtë me demarkacion, ju e merrni bajrakun e në fund e lëshoni për karrige. E unë, nuk e bëj ashtu. Demarkacioni, demarkacioni, çakorri, çakorri, zhlepi, zhlepi, e top në karrige të kryeministrit”, kishte thënë Kurti.