Arbëri

Fjalimi i plotë i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, rreth mocionit të mosbesimit

Në prag se të votohej për rrëzimin e Qeverisë Kurti, fjalën e ka marrë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Më poshtë është fjalimi i plotë i saj:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!

Sonte ju drejtohem vetëm juve, sepse si deputet i jemi drejtuar mjaftueshëm njëri tjetrit, e sonte për fat të keq edhe me fjalë që lëndojnë raportet tona por mbi të gjitha, që lëndojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, kam përgjegjësinë institucionale që t’ju drejtohem nga kjo foltore e nga ky kuvend, ngase partia ime e përkrahur nga PAN-i, sot ka sjellë për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë suaj, të dashur qytetarë, qeverisë më të votuar në 15 vjetët e fundit. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku politikanët, me gjasë, nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan dhe Europa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë. Kjo është e pashembullt.

Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, ngase në çastin në të cilin unë po flas, Kosova dhe mbarë njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të mëdha në historinë e njerëzimit, atë të virusit “Covid 19”. Në këtë çast të trishtë për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtë me mosdurimin tonë politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë meskine për pushtet, edhe atëherë kur ai pushtet kërkon shërbëtorë sikur mantelbardhët tanë, që luftojnë për secilën jetë, për secilin njeri, për secilën fjalë.

Të dashur qytetarë të vendim tim!

Në këtë çast kur egoja jonë po na kërkon t’i përmbushim apetitet tona, mjekët tanë po përpiqen për shpëtimin e secilës jetë, të secilit njeri të prekur nga pandemia. Por, ne çfarë kemi vendosur? Kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore, duke ua larguar qeverinë kur kanë më së shumti nevojë; duke i demotivuar policët dhe dhjetëra mijëra shërbyes të tjerë të qytetarëve tanë, duke i ndëshkruar ata me një lehtësi të madhe. Ne sot do të duhej të diskutonim e merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë shërbimet dhe ofrimin e paisjeve mbrojtëse, do të duhej të diskutonim për masat mbrojtëse ndaj policëve në detyrë, do të duhej të diskutonim për ushqimet e domosdoshme, për furnizimet me barna, për masat mbrojtëse të punëtorëve në dyqane e në furra të bukës, do të duhej të diskutonim masat shtesë për rastet sociale dhe grupet më të rrezikuara nga koronavirusi, pensionistët. Gjatë kësaj periudhe, do të duhej të diskutonim për hallin e bizneseve që do falimentojnë nga mungesa e ushtrimit të veprimtarisë së tyre, dhe të diskutonim për masat e qeverisë për punëtoret e këtyre bizneseve që nuk po mund të shkojnë në punë. Shpallja e pandemisë dhe kufizimet e detyruara të veprimtarive ekonomike natyrisht që e rëdojnë gjendjen ekonomike dhe sociale tqë qytetarëve tanë. Sikur pandemia globale nuk mjaftonte, sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet dhe një pandemi tjetër – ajo e dehumanizimit të shpirtit dhe e përçarjes. Prandaj, të nderuar qytetarë, ju do ta mbani në mend atë se çfarë do të ndodhë sot, sic do ta mbani në mend frikën nga virusi që po i rrezikon jetët tona.

Të dashur qytetarë!

Marrëveshja për bashkëqeverisje është kontratë, është besim, që duhet të respektohet nga të gjithë. Prandaj, veprimet e pamatura politike që sot po ndikojnë në vendime të dëmshme për vendin, në këtë kohë kur qytetarët po përballen me rrezikun për jetë a vdekje, unë asnjëhere nuk i pranoj e as nuk i arsyetoj. Këto veprime do ta përdhosim vullnetin qytetar për ndryshim; ta vrasin shpresën kur ata kishin më së shumti nevojë për të; t’i mbysim buzëqeshjet që ata i falën me aq ëmbëlsi në çdo tubim e në çdo takim që ne e kishim me qytetarët gjithandej Kosovës, besën e shpresën për besim, që ju qytetarë të dashur na e siguruat.

Por, të nderuar qytetarë, rënia e qeverisë nuk shënjon rënien e qëndresës suaj ndaj së keqes; Tek e fundit, asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë e pamundur; ne kemi rënë dhe jemi ngritur, sepse e kemi mbështetur fort në njëri-tjetrin. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur që ta mbroj secilin parim politk e secilën fjalë të dhënë para qytetarëve të vendit tim, dhe secilin parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime dhe mbi të cilin ne kemi ndërtuar kontratë me qytetarin në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sikur ju, të nderuar qytetarë, kam besuar dhe besoj në vlerat që ju na i falët me aq besim në qindra tubimet e LDK-së gjithandej Kosovës, dhe në shpresën që e pamë pas 6 tetorit dhe pas krijimit të kësaj qeverie. Prandaj, kur i ndëgjoj disa që thonë që unë nuk shpreh qëndrim të LDK-së, mua thjeshtë jo vetëm që më kujtohen fytyrat e secilin në ato tubime, por më kujtohet po ashtu që unë, cddo pikë edhe të kryetarit të LDK-së e kam respektuar. Po e citoj çfarë na thotë vetë kryetari i partisë time lidhur me partitë e tjera: “Jo, jo! Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe nuk mund ta luftojnë as njërën as tjetrën. Veç mund ta riorganizojnë për nevoja të veta. Ata që lidhin kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom, ata të aferës të pasaportave, ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiakë, ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrjshme për veteranët e luftës, ata që e katandisën paranë publike, ata… duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, Brenda e jashtë. Jo të qeverisin me Kosovën”. E kishte fjalën për partitë e PAN-it, nëse dikush ka ndonjë dyshim. Ata, të nderuar qytetarë, janë po të njëjtit që janë përshkruar në këtë deklaratë publike të kryetarit të partisë sime. Ata nuk kanë ndryshuar, prandaj, as nuk kam pse ndryshoj qëndrimin për ta.

Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar, dhe këtë madje e ka dëshmuar në këto pak ditë. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të rëndë për qytetarët, sepse konsideroj se, duke e votuar mocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshimin e qeverisë që e kanë kërkuar.

Të nderuar qytetarë, e di që ju sot ndjeheni të lodhur dhe të fyer dhe të jeni të sigurt që kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, sot nga kjo foltore e nesër nga një dritare sado e vogël, dhe të jeni të sigurt që do ta gjej atë dritare, do të kërkoj të kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por e kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoriatit të LDK-së. Në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di kontratën cila është kontrata që ne e lidhëm me qytetarët dhe ajo ka qenë: jo koalicion me partitë e PAN-in e po luftimit të krimit dhe korrupsionit. Meqë kam mbajtur konsistencë në qëndrimet e saj, dhe për këtë qytetarët i kam dëshmitarë, unë jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it dhe nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim. Në çdo lagje, fshat e qytet, në palestra e amfiteatro, kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin “BESO”, sepse vetë kam pasur bindje e besim te plotë, se do të angazhohemi për ndryshim të pushtetit dhe se partitë e PAN-it që e kanë shpenzuar edhe rezervën shtetërore, duke na sjell në pikë kritike e duke na rrezikuar mundësinë e menaxhimit të duhur të emergjencës shëndetësore, do t’i dërgojmë përfundimisht në opozitë. Natyrish që unë kurr s’kam kaluar në parti tjetër, sepse asnjë qëndrim nuk e kam ndryshuar, asnjë të vetëm, as edhe një të vetëm. para 6 tetorit, pas 6 tetorit, edhe sot. Asnjë të vetëm. Secilin e kam mbrojt edhe e mbroj sot, pavarësisht çmimit që duhet të paguhet. Unë kam qëndruar fuqishëm në parimet dhe platformën, të cilën e kam shpalosur para qytetarëve, në parimet strategjike të partisë që përfaqësoj.

Të dashur qytetarë,

Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja. Ma tregojnë mua derën. Por është një derë e një udhë që unë e kam ndjek këto 20 vjet që unë jam në LDK, është ajo rrugë që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmen më iu nda kurrë e as ta braktisë. Pra, unë u akuzova për tradhëti, por nëse mbrojtja e çdo pike të programit të LDK-së, që e kemi prezantu si kontratë me qytetarët, më bëka tradhtare, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj çdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë, secilës fjalë ama, që unë ua kam dhënë votuesve të mi, derisa disa prej bashkëpartiakëve të mi frikësoheshin dhe të mateshin para tyre, nëqoftëse kjo më bën tradhëtare, atëherë me krenarinë më të madhe do ta mbaj këtë “vulë të tradhtisë”. Por, unë nuk dua të merrem me erën që është duke u shuar. Besoni që është një erë që është duke u shuar. As me njerëzit që në zgjedhjet e 6 tetorit kanë marrë zero besim nga qytetarët. Unë do të veproj, ashtu sikur thoshte para pak ditësh zonja Doris Pak për dr. Rugovën. Ajo tha që këto rrethana, Presidenti Rugova do të vepronte ndryshe. Ai vepronte ndryshe, vepronte në të mirën e përgjithshme, edhe kur e përqeshnin edhe atëherë kur sulmonin. Do të veproj ashtu sepse nuk jam asgjë tjetër veçse një ndjekëse këmbëngulëse e politikës së tij.

Si kryetare e Kuvendit kam bërë çdo gjë që vendi të mos vinte në këtë situate me të cilën po përballemi sot, sidomos jo në kohë pandemie. Natyrisht që edhe në këto momente që kanë mbet ndoshta jo më shumë se dhjetë minuta para votimit, unë i bashkohem secilit zë, edhe zërit të kolegut tim z. Quni, edhe secilit zë tjetër vullnetmirë që kërkon të gjindet një zgjidhje edhe në këto momente të fundit. Sepse, një pajtim i tillë do ta shpëtone Kosovën nga një e keqe që po e pret. Tash, kur jemi këtu, unë do të votoj kundër mocionit, sepse duket votuar kundër mocionit, jam e bindur që votoj për të ardhmen e vendit tim. Ngase, jam thellësisht e bindur se vendit në këto momente i duhet solidaritet politik e moral, i duhet qeveri që është e zonja të përballet jo vetëm me pandeminë por edhe të luftojë krimin dhe korrupsionin, e nuk i duhet qeveri që nuk është e zonja të merret me sfida të tilla. Na duhet solidaritet njerëzor, institucional e moral me njëri-tjetrin. Na duhet bashkim, sepse vetëm kështu do të mund të dalim ngadhnjimtarë para kësaj sfide. Prandaj, unë do të votoj kundër çdo mocioni që e lë qoftë edhe një qytetar të vetëm pa disa prej ministrave që i kemi parë. Unë do të votoj kundër çdo mocioni që Kosovën e len pa ministra si Lumir Abdixhiku e Arben Vitia, e as po du me mendu se me kë do të zëvendësohen ata. Prandaj, do të votoj kundër çdo mocioni që ia pret këmbët atyre që kishin shpresa, ia mbyt shpresën të lënguarit; që ia nxin jetën të papunit, e atij qytetari që në kohën e pandemisë globale detyrohet ta durojë egon tonë të sëmurë për pushtet.

Sot këtu u përmend shumë e ndjera znj. Nekibe Kelmendi dhe unë natyrish që në asnjë rast nuk ndihem mirë kur flitet në emër të njerëzve që nuk janë prezent këtu. Duke qenë që e kam pas shembull gjithnjë dhe e kam njohur dhe kam pas përkrahjen e saj për vite të tëra, unë sot kam marrë një mesazh krejtësisht personal nga vajza e saj, e cila ka kërkuar që ai të lexohet. Është mesazh i shkurtër, por e ndjej detyrim që ta lexoj. Në rradhë të parë, detyrim ne emër të transparencës ndaj qytetarëve, por edhe detyrim ndaj sakrificës dhe punës së familjes Kelmendi. Kosovare Kelmendi thotë që: “Me shpirt, me mendje, e me lutje jam me juve, sikurse mbarë Kosova. Mos e votoni mocionin! Mos na detyroni t’i lëmë edhe varret e të ikim nga ky vend. Sepse, po u vra sot shpresa, mua vetëm emri do të më mbetet Kosovare, sepse Kosovë të ëndrrave e të luftës së prindërve të mijë më nuk do të ketë.”

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Natyrish që siç e keni pritur nga unë, unë do të votoj kundër këtij mocioni, sepse kështu votoj pro shpresës për një të nesërme më të mirë, edhe nëse të sotmen e tyre ne po e përbuzim padrejtësisht, duke e shtyrë atë buzë greminës. Unë do të votoj kundër sepse qëndroj fort mbi fjalën e dhënë për ndryshim; qëndroj pranë të gjithë atyre njerëzve që më votuan, qëndroj fort mbi shpresën e njerëzve që s’dorëzohen kurrë dhe që do ta rikthejnë këtë shpresë, të cilën ne padrejtësisht po duam t’ua vrasim sot. Për mua politika gjithnjë ka qenë dhe mbetet mision e shërbim, e asnjëherë mashtrim. Duke respektuar besën që ia kam dhënë qytetarit në zgjedhje, unë nuk votoj asnjë mocion që e rikthen PAN-in në qeveri.