Arbëri

Bushati: Në vend që të diskutohet për shëndetin e qytetarëve, në Kosovë po kacafyten për pushtet

Descriptive Text

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka thënë se seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës është një përplasje mes të resë me të vjetrën, një kacafytje për pushtet në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë Covid-19.

Bushati, këto deklarata i bëri në një intervistsë për Euronews Albania, ndërsa theksoi se në këtë kohë do duhej të kishte diskutime më thelbësore për jetën e qytetarëve të Kosovës.

“6 tetori ka qenë një triumf i të resë mbi të vjetrën, është e qartë që në këtë kënd të Europës e reja që të lind apo të korrë triumf përfundimtar e paska të vështirë. Do të duhet më shumë mund dhe përplasje me të vjetrën. Ajo që është për të ardhur keq është fakti që në këto momente të pandemisë, ku kryesore mbetet shëndeti dhe siguria e jetës njerezore, në Kosovë duket se ka një kacafytje për fat të keq për pushtet, dhe ka filluar një ballo me maska, që siç tha në mënyrë shumë elokuente mikja ime Moza Kusari, deputete e Kuvendit, është një ngjarje që ndoshta do e njollosë për një kohë të gjatë atë sallë atje”, tha Bushati në këtë intervistë.

Ai tha se në këtë mes nuk ka diskutim as për ç’kapjen e shtetit, as për sundimin e të drejtës, apo për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e as për ato reforma sidmos kundër korrupsionit dhe hajnisë, për ta çkyçyr Kosovën nga izolimi dhe për të siguruar procesin e liberalizimit të vizave.

“Por tema është totalisht në një drejtim që mendoj që nuk i shërben perspektivës as afatshkurtër, as afatmesme dhe për fat të keq as afatgjatë të Kosovës”, deklaroi Bushati.

Duke u ndalur tek çështja e taksës ndaj mallrave serbe dhe për dialogun me Beogradin, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se Kosova ka nevojë për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që bazohet mbi të drejta dhe jo mbi territore.

“Rasti më i fundit ai ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që njihet ndryshe si Marrëveshja e Prespës, dhe që e vërteton katërcipërisht këtë që them, sikundër precedenti në Bosnje e Hercegovinë duhet të jetë sinjal alarmi për të gjithë politikanët në Kosvë, edhe për ata që përbetoheshin sot në Kuvend që një marëveshje është e mundshme, por vetëm mbi bazën e të drejtave për Kosovën dhe Serbinë dhe jo territoreve. Çdo logjikë e shekullit 19 do dëmtonte jo thjesht Kosovën, jo faktorin shqiptar, por do hapte një spirale nga e cila nuk do kishte asnjëlloj garancie që mund te ndalej”, u shpreh ish-kryediplomati shqiptar.

Ai thotë se SHBA-ja e BE-ja, sidomos Franca, Gjermania, Italia e Mbretëria e Bashkuar, që përbëjnë Kuintin, “është domosdoshmëri edhe në rastin e Kosovës”.

“Sepse retorika kundër BE-së, qurravitjet në Twitter apo nga mediume të ndryshme ndaj BE-së, nuk i bejnë nder asfare Kosovës. Thjesht çimentojnë status quo-në për disa sundimtarë, por që ka pasoja dramatike për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë vite që vuajë nga izolimi. Dhe në fakt ky izolim në shumicën e rasteve nuk ka ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja, por nga keqqeverisja”, përfundoi Bushati.