Arbëri

Shoqëria civile me letër të hapur për liderët: Mocioni rrezikon të fusë vendin në krizë

Foto: KOHA

Një grup prej 13 organizatash të shoqërisë civile, u janë drejtuar gjashtë liderëve të partive politike shqiptare, që janë pjesë e Kuvendit, me një letër të hapur, ku thuhet se ndërmarrja e iniciativave nga subjektet politike parlamentare për shkarkimin e Qeverisë dhe krijimin e një qeverie të re është në kohë jo të duhur, raporton KOHA.

“Votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ndonëse është e drejtë kushtetuese e partive politike parlamentare, rrezikon të fusë vendin në krizë politike e institucionale dhe të nxisë pakënaqësi qytetare, që tani vendit i duhen më së paku”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF),
Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Institutit Demokratik të Kosovës (KDI)
Institutit të Kosovës për Drejtësi (KLI), Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D), Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Institutit KIPRED, Institutit GAP, KIPRED,
Lëvizjes “Fol”, Organizatës “Çohu”, KFOS-it dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT).

Shoqëria civile u kërkon liderëve që të bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës së tanishme.

“Fokusi i tërë spektrit politik, e në veçanti institucioneve ekzekutive, duhet të jetë në ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së këtij virusi. Qeveria po ashtu duhet t’i raportojë Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare në mënyrë të rregullt për të gjitha zhvillimet që janë në kompetencë të ekzekutivit dhe për t’i mundësuar kështu Kuvendit ushtrimin e detyrave mbikëqyrëse”, thuhet në njoftim.
 

Sipas komunikatës, të gjitha kapacitetet profesionale e humane të subjekteve politike duhet të orientohen në funksion të ofrimit të ekspertizës së nevojshme për institucionet në tejkalimin e kësaj situate, por edhe krijimin e një situate qetësie dhe shprese tek qytetarët e Kosovës.
“Mbesim me shpresën që ju do të merrni në konsideratë shqetësimin tonë lidhur me situatën, që është edhe reflektim i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve për lënien anash të kalkulimeve politike në këtë situatë dhe fokusimin e tërësishëm në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në komunikatë.