Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria jep detaje të vendimit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, merr edhe vendime tjera

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore/ Ilustrim

Qeveria e Kosovës, përpos ndalimit të qarkullimit të qytetarëve në kuadër të masave ndaj koronavirusit, ka marrë edhe disa vendime tjera, në mbledhjen e saj të së hënës.

Në mesin e këtyre vendimeve është edhe kërkesa për AKP-në që t’i pezullojë të gjitha veprimet me pronat e paluajtshme që ka në dispozicion; vendimi për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë; shqyrtimi i Koncept Dokumentit për reformën gjyqësore në drejtësinë komerciale; shqyrtimin dhe miratimin e Koncept Dokumentit për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës dhe aprovimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2019.

Në njoftimin për medie nga Zyra e Kryeministrit, janë dhënë detaje të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve:

1. Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

2. Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;

Edhe Miratohen masat e reja anti-COVID, hiqet kufizimi i lëvizjes Arbëri Miratohen masat e reja anti-COVID, hiqet kufizimi i lëvizjes

3. Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;

4. Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;

5. Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

AKP-së i kërkohet pezullimi i të gjitha veprimeve

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi në të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Programi i Qeverisë 2020-2023 parasheh politika që mund të ndryshojnë statusin aktual të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të ndryshojnë administrimin afatgjatë të pronës publike dhe shoqërore.

 

Edhe Hiqet kufizimi i qarkullimit për zyrtarët në zgjedhje Arbëri Hiqet kufizimi i qarkullimit për zyrtarët në zgjedhje

Anulohet vendimi për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për anulimin e vendimeve të Qeverisë për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë dhe vendimet për shpronësimin e pronave të paluajtshme që preken nga themelimi i kësaj zone në zonat kadastrale të Banjës, Bellanicës dhe Senikut të Malishevës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se këto vendime janë në kundërshtim me Ligjin.

 

Miratohet Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale

Në mbledhjen e sotme, shkruan në njoftim, është shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumenti për reformën gjyqësore në drejtësi komerciale. Koncept dokumenti ka analizuar dhe identifikuar qasjen e deritashme të komunitetit të biznesit, dhe kohëzgjatjen e trajtimit të lëndëve administrative që lidhen me çështjet ekonomike, e që vjen si rezultat i mungesës së kapaciteteve aktuale. “Pas analizës së Procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe pas identifikimit të problemeve në zbatimin e ligjeve aktuale, Koncept Dokumenti ka rekomanduar ndryshimin e kornizës ligjore përmes hartimit të Ligjit të ri për Gjykatat Komerciale”, shkruan në të.

 

Miratohet Koncept Dokumenti për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës

Edhe Qeveria miraton vendimin për masat e reja, nesër hyn në fuqi Arbëri Qeveria miraton vendimin për masat e reja, nesër hyn në fuqi

Po ashtu, sipas kryeministrisë, kabineti ka shqyrtuar dhe miratuar Koncept Dokumentin për Evidencën Qendrore Penale të Kosovës, i cili konstaton se Kosova është një nga vendet e rralla që kompetencat e mbajtjes së evidencës penale i ka lënë në kompetencë të administratës gjyqësore. Koncept Dokumenti rekomandon që të hartohet Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës i cili do ta përcaktonte Ministrinë e Drejtësisë si organ kompetent për administrimin e këtij sistemi.

“Gjithashtu, Qeveria ka aprovuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2019. Raporti evidenton se të hyrat e përgjithshme për vitin 2019 kanë qenë në shumën 2 miliardë e 222 milionë e 920 mijë euro, ndërsa pagesat kapin shumën prej 2 miliardë e 152 milionë e 546 mijë euro”, sipas njoftimit.