Deputetë me maska, dorëza e dezinfektues, por edhe me këto masa mbrojtëse mund të mos mjaftojnë për mbajtje të seancës në Kuvendin e Kosovës, në kohën e situatës së përballjes me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e Qeveria vazhdimisht janë duke kërkuar mbajtjen e distancës mes personave deri në 2 metra, raporton KOHA.
E një e tillë, nuk është e mundur në sallën ku mbahen seancat e legjislativit.
Mirëpo, mbi 40 deputetë të udhëhequr nga ata të LDK-së janë duke kërkuar që të mbahet një seancë, në të cilën është paralajmëruar miratimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
Kërkesën për seancë, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, është duke e cilësuar të papërgjegjshme. Sipas zyrtares së Vetëvendosjes, të hënën do të kërkohet nga IKSHP-ja një vlerësim për mundësitë e mbajtjes së seancës.
Mirëpo, mbajtjen e seancës nuk është duke e parë problem Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti Uran Ismaili ka tërhequr paralele me seancën e mbajtur javë më parë, ku është votuar buxheti për vitin 2020.
Të premten, Grupi parlamentar i LDK-së ka dorëzuar në Kuvend nënshkrimet e 46 deputetëve me kërkesën për mbajtjen e një seance.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.