Arbëri

Nga 16 të prekur me koronavirus në Kosovë – 10 po marrin trajtim në Infektivë e 6 në shtëpi

Foto: KOHA / Alban Bujari

Dhjetë pacientë të prekur me koronavirus në Kosovë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa gjashtë të tjerë janë duke u trajtuar në shtëpi.

Valbon Krasniqi, infektolog, tha se gjatë ditës së martë pritet që së paku edhe dy pacientë të lirohen në shtëpi për trajtim të mëtutjeshëm, pasi gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

“Gjashtë pacientë të prekur me COVID-19 janë nëpër shtëpitë e tyre në vetizolim. Gjendja shëndetësore e të gjithëve është e mirë. Vetëm një pacient 77-vjeçar aktualisht është nën kontroll më të rreptë dhe ka nevojë për oksigjen, por gjendja e tij është stabile”, tha Krasniqi për Rel.

Të martën në Kosovë është konfirmuar edhe një rast me koronavirusin, duke e çuar në 16 numrin e të prekurve.

“Gjatë orëve të mesnatës me 17.03.2020 është konfirmuar edhe një rast pozitiv për virusin SARS-CoV-2: E ardhur nga Londra me datë 16.03.2020, ku ka qëndruar në vizitë zyrtare nga data 09 deri 16.03.2020. Rasti me vendqëndrim nga Prishtina, gjinisë femër, mosha 39-vjeçare”, thuhet në njoftimin e MSH-së.