Arbëri

Qytetarët vërshojnë barnatoret, farmacistët thonë se ka furnizim të mjaftueshëm me barna

Foto: Driton Paçarada / KD

Qytetarët përpos që janë duke rezervuar sasi të mëdha të ushqimeve dhe mjeteve për higjienë, ditëve të kaluara kanë vërshuar edhe barnatoret për rezerva medikamentesh, është bërë e ditur përmes një njoftimi të Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë.

“Si pasojë e panikut që është përhapur në vendin tonë pas diagnostifikimit të rasteve të para me koronavirus (CODVID-19), qytetarët përpos që janë duke rezervuar sasi të mëdha të ushqimeve dhe mjeteve për higjienë, ditëve të fundit kanë vërshuar në numër të madh edhe barnatoret në mënyrë që të krijojnë rezerva të medikamenteve”, shkruan në njoftim.

Tutje thuhet se nuk ka vend për panik në këtë aspekt, transmeton Koha. 

“Ne si ShDFMK njoftojmë qytetarët se tregu farmaceutik i Kosovës është mjaftueshëm i furnizuar me medikamente. Gjithashtu, ne vazhdojmë të importojmë sasi të planifikuara të të gjitha llojeve të medikamenteve. Duke marrë parasysh nga sa u tha më lartë, ju sigurojmë që nuk ka vend për panik”, thuhet në njoftim.

ATK ka trajtuar 516 raste për rritje të çmimeve

Inspektorët e Administratës Tatimore kanë trajtuar 516 raste të raportuara, pas 1.809 thirrjeve të pranuara nga qytetarët për rritje të çmimeve, është bërë e ditur përmes një njoftimi të Administratës Tatimore të Kosovës.

“Si rezultat i vizitave në teren, është konstatuar se një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë rritur çmimet e produkteve bazike ushqimore, si dhe atyre farmaceutike, prandaj ATK-ja, në bashkëpunim me organet kompetente, duke përfshirë këtu inspektoratin e tregut, prokurorinë dhe policinë, bazuar në raportet e inspektorëve tatimor do të ndërmarrë veprime ligjore”, thuhet në njoftim.

ATK ka bërë të ditur se denoncimet e këtyre rasteve kanë qenë kryesisht për produkte bazike ushqimore dhe farmaceutike.

BQK: Bankat po funksionojnë normalisht, degët bankare të shfrytëzohen sa më rrallë

Të gjitha Bankat e Kosovës janë duke funksionuar normalisht pas situatës së krijuar si rezultat i koronavirusit, është bërë e ditur përmes një njoftimi të Bankës Qendrore të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe zonat 24/7 dhe bankomatët.

Në njoftimin e BQK-së shkruan se hapësirat bankare janë duke u dezinfektuar rregullisht nga ana e bankave.

“Por, duke pasur parasysh masat mbrojtëse të rekomanduara si pjesë e parandalimit të shpërndarjes së virusit, ju lutemi që degët bankare t’i shfrytëzoni sa më rrallë dhe të përdorni më tepër kartelat bankare, dhe kanalet elektronike për të kryer shërbimet tuaja bankare”, shkruan në njoftim.