Arbëri

Tetë të dyshuar me koronavirus në Kosovë, njëri me simptome më të theksuara

Foto: Koha

Tetë të dyshuar me koronavirus në Kosovë janë aktualisht duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Kjo është bërë e ditur nga, drejtoresha e kësaj klinike, Lendita Ajvazi-Berisha.

Ajo ka thënë se janë në pritje të rezultateve të analizave për këta persona, të cilët kanë ardhur në Kosovë nga regjione të ndryshme.

“Po, janë tetë raste të reja të dyshuara me koronavirus që janë pranuar sot në Klinikën Infektive. Ata kanë ardhur në Kosovë nga regjione të ndryshme. Jemi në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, burime të Kohës kanë bërë të ditur se tek njëri pacient, simptomet janë më të theksuara.

“Fjala është për një vajzë të re, e cila ka udhëtuar nga Zvicra për në Kosovë dhe ka pasur kontakt me një të infektuar me koronavirus”, është bërë e ditur prej këtij burimi, duke shtuar se ajo ka simptome gripi, temperaturë të theksuar.

Ministri i Shëndetësie, Arben Vitia ka deklaruar dje se Qeveria e Kosovës planifikon t’i shpenzojë rreth 10 milionë euro rreth parandalimit dhe trajtimit të virusit, nëse do të ketë të prekur nga kjo sëmundje në Kosovë.

Në Shqipëri janë konfirmuar 10 të prekur nga ky virus, dhe qeveria ka mbyllur shkollat për dy javë.

Koronavirusi është përhapur në mbi 100 vende të botës ndërkohë që qeveritë kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura, dhe disa kanë mbyllur kufijtë për një periudhë të pacaktuar.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës e ka miratuar të marten planin për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit, ashtu si dhe Planin e Veprimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se deri më tani, “në laborator janë testuar 62 raste të dyshimta që kanë rezultuar negative, në proces janë pesë ose gjashtë raste dhe presim rezultatet në orët në vazhdim”.

Ai ka treguar se kostoja e Planit të Veprimit është mbi dhjetë milion e trembëdhjetë mijë euro.

“Masat e përfshira kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë dhe mbrojtjen e popullsisë. Situata rreth koronavirusit paraqet një emergjencë globale dhe për në koronavirusi paraqet emergjencë kombëtare. Plani i veprimit i bën aktivitetet tona më specifike’, ka thënë ai.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ndërkaq ka thënë se janë marrë të gjitha masat.

“Sot jemi përgatitur një plan të veprimit. Në orën 15.00 kemi takim me drejtorët e të gjitha komunave. Po i presim rekomandimet nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ministria, duke u munduar gjithashtu ta mbajmë popullin të informuar”, ka thënë ajo.