Arbëri

Vuçiqi nuk preferon “konflikt të ngrirë” me Kosovën

Foto: Reuters

Uashington, 5 mars – E kuptoj nevojën për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila për mua nuk është e lehtë, meqë po e pyetët shumicën e qytetarëve të Serbisë, ata preferojnë konflikt të ngrirë më parë se çfarëdo zgjidhje tjetër, ndërsa unë nuk i përkasë kësaj shumice mendimesh.

Kështu është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksdandar Vuçiq, në një intervistë dhënë revistës amerikane Foreign Policy, transmeton Koha.net.

Duhet të vazhdojmë dialogun dhe të gjitha përpjekjet e domosdoshme për gjetjen e kompromisit. E përsëris, nuk e di si do të dukej ai kompromis, por duhet të jetë i tillë që të jetë humbje për të dy palët, të jetë fitore e vogël për të dy anët. Edhe njëra edhe pala tjetër duhet të marrë garanci për një të ardhme shumë, shumë më të mirë, është shprehur ai.

Vuçiq citohet të ketë thënë se Beogradi është i përkushtuar për punë me Prishtinën në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e mundshme, e cila nuk do të arrihet lehtë.

Dua të them që partnerët tanë perëndimorë do të duhej të merrnin pjesë në gjithë këtë punë. Nuk mund të kemi dy procese negociuese, njëri me Thaçin në Uashington, tjetri me Kurtin në Bruksel. Nuk e dini me kë bisedoni, është shprehur Vuçiq.

Shpresoj se do ta heqin taksën dhe kjo do të ndodhë në saje të trysnisë së SHBA, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se pa këtë presion kurrë nuk do ta hiqnin.

Konsideroj se gjëja më e rëndësishme është vendosja e fluturimeve në mes të Beogradit e Prishtinës, ashtu siç kemi biseduar me palën amerikane, dhe të fokusohemi në gjithë ato që kemi arritur përmes procesit negociues nën patronatin e BE-së, ka thënë Vuçiq.

Nuk e kam të qartë se si do të mund përfundonte i gjithë ky proces, çfarë do të mund të jetë në thelb pjesë e zgjidhjes së mundshme përfundimtare, që do të mund të na propozonte dikush, ka thënë ai.

Vuçiq është shprehur se shpreson në vendosjen e lidhjeve më të mira ekonomike, në mënyrë që popujt të kuptohen më mirë mes vete, ndërsa për këtë është i nevojshëm dialogu.