Artan Murati, këshilltar i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka bërë kërkesë për raportim para deputetëve, por ka tentuar të caktojë kohën për diçka që, siç thotë Murati, “nuk ishte konsideruar urgjente as nga vetë ai”.
Përmes një postimi në Facebook, Murati thotë se Thaçi tentoi të përçonte një mesazh se u pengua sot, por se në fakt, sipas tij, kjo nuk qëndron.
“Z. Thaçi nuk u refuzua, por vetëm është ruajtur dinjiteti i Kuvendit si organ përfaqësues i sovranit, duke e respektuar njëkohësisht edhe institucionin e Presidentit. Narracioni i ndërtuar nga keq-informimi nuk duhet ta ndikojë opinionin publik. Presidenti Thaçi, sot nuk ka dërguar kërkesë për raportim para deputetëve, por në fakt ka tentuar të caktojë ditën e datën, për diçka që nuk ishte konsideruar urgjente as nga vetë ai”, u shpreh Murati.
Tutje, ai tha se praktika e paraardhësve të Thaçit, duke iu referuar ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe ish-presidentes Atifete Jahjaha, është krejtësisht tjetër dhe se këta të fundit e kanë trajtuar Kuvendin si institucion të pavarur.
Ai i ka bashkëngjitur tri shkresa, njërën nga Sejdiu, tjetrën nga Jahjaga dhe të fundit nga Thaçi, që të gjitha kërkesa për seancë raportuese para deputetëve.
“E para, letra e sotme e Presidentit Thaçi, ku tentohet të mblidhet Kuvendi e të ftohen deputetët, brenda orëve. E dyta, praktika e Presidentit Sejdiu, i cili e njoftonte Kuvendin se ishte i gatshëm t’u adresohej deputetëve në njërën nga seancat e radhës. Kurse, e treta, është praktika e Presidentes Jahjaga, e cila i ofronte Kuvendit kohë të mjaftueshme për të organizuar adresimin e saj para deputetëve”, ka shkruar Murati, ndërsa ka kërkuar nga opinioni që të bëjnë vlerësimin vetë.
Letra e Hashim Thaçit:
Letra e Fatmir Sejdiut:
Letra e Atifete Jahjagës:
