Arbëri

Propozimi i Aliut që Komisioni për Bujqësi të vizitojë ministritë, s’mbështetet nga anëtarët

Mungesa e programit legjislativ nga qeveria dhe draftit punues të komisionit ishte temë diskutimi në takimin e sotëm të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural.

Anëtarët e opozitës në komision kërkuan nga qeveria e re të krijojë një draft për planifikimin e punës së këtij komisioni në të ardhmen.

Kryetari i komisionit, Liburn Aliu, propozoi idenë që të bëhen vizita në ministritë që janë nën mbikëqyrje të Komisionit për Bujqësi, për t’u njohur me kornizën e planit punues, i cili do të shërbejë si pasqyrë për punën e komisionit.

“Derisa të mos e kemi këtë program legjislativ të qeverisë, unë do të kisha propozuar që gjatë kësaj periudhe të bëjmë dy vizita në dy ministritë që janë në fushëveprimin tonë - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës, që të kërkojmë nga këto ministri të na prezantohet komplet fushëveprimi i punës së ministrisë dhe projektligjet që planifikohen të dërgohen ose që janë dërguar, apo që kanë mbet në gjysmë, dhe cilat janë planet e tyre. Kësisoj, ne do të kemi një pasqyrë të qartë për të gjitha agjensionet brenda ministrisë dhe kompetencat e tyre, në mënyrë që të kemi ide më të mira se si të veprojmë”, u shpreh Aliu, raporton KSP.

Propozimi i Liburn Aliut nuk gjeti përkrahje nga deputetja e PDK-së Evgjeni Thaçi, e cila kërkoi që të jenë vetë ministrat ata që duhet të vijnë në komision për t’u njohur me anëtarët e tij dhe më pas të realizohen vizitat në ministritë përkatëse.

“Është e vërtetë që ne si Kuvend nuk kemi ende plan-program të qeverisë. E kemi thënë dhe e përsërisim vazhdimisht, por kjo nuk na pengon që të kemi planin e punës së komisionit. Kërkoj nga ju si kryetar dhe si kryesi me ndihmën edhe të organizatave tjera me të cilat bashkëpunon Kuvendi, të paraqisni planin e punës së komisionit. Ju kërkuat që ne të kemi vizita në ministri, por mendoj se kjo nuk është një ide të cilën mund ta përkrahi për arsye se ministrat janë ata që duhet të vijnë në këtë komision”, u shpreh Thaçi.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj, tha se nuk është praktikë e mirë që komisionet të shkojnë në ministri, por anasjelltas.

“Mendoj se dy vizita janë në interes për komisionin dhe do të na kishin ndihmuar që më shpejt të punojmë një draft-program të punës për një nismë të mbarë, pastaj të presim agjendën legjislative. Mendoj se dy vizita, po të jetë kjo e fundit qe ne të shkojmë në ministri, le të vinë ata këtu sepse është një rregull ashtu dhe po vazhdojmë punën, nuk me prish punë për fillim të shkojmë, por si praktikë kryetar nuk mendoj se është në rregull”, tha Selmanaj.

Anëtarë të Komisionit për Bujqësi janë: Liburn Aliu VV, Bajrush Xhemajli PDK, Azem Hodza PUK, Hajrullah Çeku VV, Shpejtim Bulliqi VV, Evgjeni Thaçi PDK, Rasim Selmanaj AAK, Millosh Peroviq Lista Serbe, Endrit Shala Nisma dhe Ilir Ferati VV.