Ndryshe prej herëve të tjera, ministrat e Qeverisë së Kosovës janë mbledhur edhe të shtunën, në një mbledhje që këtë herë është zhvilluar në Prevallë.
Aty, për herë të parë, është mbajtur mbledhja gjithë ditore e Ekzekutivit. Gjatë ditës, zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti njoftoi se po hartohej programi qeverisës, raporton Koha.
Mbledhja ka përfunduar pas më shumë se tetë orëve, e për atë çka u diskutua aty, e shpjegoi para mediave kryeministri Albin Kurti.
“Do t'i përmbledhim të gjitha diskutimet dhe do ta sjellim versionin përfundimtar të programit qeverisës i cili pasi që merr formën e vet finale shkon në qeveri, aprovohet aty dhe për diskutim në Kuvendin e Republikës”, tha Kurti pas takimit në Prevallë.
Mirëpo, Kurti nuk dha detaje nëse është biseduar për tarifën dhe dallimet që kjo ka krijuar te partneri i koalicionit, LDK-ja.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, me të përfunduar takimi i Qeverisë në Prevallë, ka treguar në facebook se çka është definuar mes VV-LDK.
“Sot në Sharr, në takim pune të Qeverisë, definuam tri çështje: 1. Përmbyllëm Programin Qeverisës 2020- 2023, që është program ambicioz por realist, 2. Diskutuam problemet që kemi gjetur në secilën ministri, që janë shqetësuese në shumicën e rasteve me pasoja financiare për shtetin dhe për qytetarët dhe 3. U dakorduam për masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Koha.net ka provuar menjëherë ta kontaktojë atë për të kuptuar se për çka e ka pasur fjalën kur ka thënë “u dakorduam për masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren”, dhe për të kuptuar nëse kanë diskutuar për tarifën, por Hoti e ka ndërprerë thirrjen.
Lidhur me koston e kësaj mbledhjeje të zhvilluar jashtë objektit të qeverisë, ka folur zëvendëskryeministri Haki Abazi. Ai ka thënë se salla me darkë ka kushtuar 150 euro, porse tha se qeveria do t’i bëjë publike të gjitha.
Drafti i programit pritet të përpilohet nga anëtarët e zyrës së kryeministrit e pastaj t’u dërgohet edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.