Shkalla e lartë e emigrimit të qytetarëve jashtë vendit dhe rënia e natalitetit, prezantohen si faktorë që po ndikojnë në tkurrjen e numrit të popullsisë në Kosovë.
Të dhënat zyrtare ndër vite, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rënien e konsiderueshme të numrit të lindjeve dhe për numrin në rritje të qytetarëve që kanë ikur apo kanë lëshuar Kosovën.
Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara “Vlerësimi i Popullsisë”, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.
Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo -0.16 për qind.
Ndërkaq, sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.
Kosova në regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011 kishte regjistruar 1,739,825 banorë, por në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Ndërsa, në raportet e vlerësimit të popullsisë, në numrin e banorëve janë të përfshirë edhe këto komuna.
Sa i përket numrit të lindjeve të gjalla të ndodhura brenda territorit të Kosovës në vitin 2014 ishin 25,929, derisa në vitin 2018, ishte 22,761 lindje. Ndërsa, numri i vdekjeve në vitin 2018 në Kosovë ishte rreth 10 mijë.
Në vitin 2019, zyrtarë shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se numri i lindjeve ka shënuar rënie.
“Ka një rënie të numrit të lindjeve në përgjithësi në Klinikën Gjinekologjike. Në vitin 2019 kanë qenë 9,622 foshnje, që krahasuar me vitin paraprak (2018) ka një rënie për 600 foshnjave më pak”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhevdet Gojnovci drejtor në Klinikën Neonatologjike në QKUK.
Emigrimi dhe rënia e fuqisë punëtore
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.
Të dhënat për vitin 2019 ende nuk janë publikuar për migrimin dhe as për lindjet dhe vdekjet.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se një trend më i madh emigrimit të qytetarëve të Kosovës do të jetë pas politikave të reja të emigracionit në Gjermani.