Arbëri

Ismaili: Kurti edhe sot tensionoi marrëdhëniet me ndërkombëtarët, bëri lëshimin e parë karshi Serbisë

Deputeti PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Albin Kurti është politikan i tensioneve.

Ai thotë se tentimi i tij për të paraqitur letërkëmbimet mes presidentit Hashim Thaçi dhe NATO-s kinse si tradhti, tregon për mungesën e planit dhe vizionit që ka.

Ismaili në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kurti ka bërë lëshimin e tij të parë karshi Serbisë, si lider i Vetëvendosjes.

“Ajo çka ne dimë se Kurti ka qenë kundër çdo lloj mënyre për daljen nga ky problem. Ai herën e parë e ka ndryshuar qasjen për reciprocitetin edhe në fushatë. Nëse ai ka pasur idenë që ta largojë tarifën nuk është dashur të sjellë konfrontim me Amerikën. Edhe sot edhe dje ai ka vendosur tensione mes Kosovës dhe SHBA-së. Ishte një tentativë e tij kur tha se nuk duhet të bëjë rokade mes SHBA-së dhe popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kurti nuk është 100 për qind kundër as SHBA-së e as kundër Serbisë.

Ai thotë se në rastin e reciprocitetit, LDK-ja është jashtë procesit.

Sipas tij, PDK-ja ka vendosur theks në dialog, që përkundër dhimbjeve të vendoset një marrëveshje për Kosovën.

Ai thotë se tërë kohën Kurti ka luajtur me njerëzit që kanë humbur shumë në luftë.

“Ai nuk është duke pasur një qëndrim të qartë për asnjë pozitë qeverisëse që ka. Ne nuk kemi plan të qeverisë, nuk kemi diskutim për projekt-buxhetin dhe në anën tjetër kemi konferenca të jashtëzakonshme që e vendosin Kosovën në tension. Duhet kuptuar që negocimi duhet të jetë kundër Serbisë. Ne duhet kuptuar që SHBA është aleati jonë kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurti dëshiron të dalë nga situatat jo në klimë të bashkëpunimit, por se kinse në momentin e fundit po jep zgjidhje”, ka thënë ai.

Ai thotë se kur e ata e kanë propozuar tarifën, nuk e kanë bërë përmes konferencës por me një komunikim me ndërkombëtarët.

Ismaili thotë se do të paraqitet një kontradiktë e madhe se çfarë do të ndodhë pas heqjes së tarifës.

Ai thotë se sot me largimin e tarifës, Kurti dështoi të tregojë se çfarë do të ndodhë tash me dialogun e korrigjimin e kufirit.

Sipas tij, i pari i Qeverisë nuk po tregon se çfarë do të ndodhë nëse preket sovraniteti i Kosovës.

Ismaili thotë se e kishin të gatshëm vënien e reciprocitetit me Serbinë.

“Ai fillojë ta largojë tarifën dhe e ka të dyshimtë nëse do ta vendosë reciprocitetin. Ai ka mundur t’i ikë konfrontimit. PDK bashkë me SHBA-në ka dalë si partner në atë kohë të konfuzionit, me një dokument që dha një fije shprese. Në anën tjetër Kurti me kryeneçësinë e tij dhe dëshirën për protagonizëm po i minon edhe ato mundësi që kanë qenë për kundërshtim me Serbinë”, ka thënë ai.