Arbëri

Pompeo pret Thaçin, diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington.

Presidenti ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dekada me radhë.

“Na keni përkrahur në kohët më të vështira si dhe në ditët më të mira tona. Mirënjohja jonë është e përhershme”, është shprehur Thaçi.

Temë e diskutimit ishte edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e përhershme e paqes, në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të thotë paqe për tërë Evropën Juglindore, do të thotë kthim kah e ardhmja, do të thotë zhvillim dhe prosperitet”, ka thënë presidenti në takim.

Ai u shpreh se Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duke ecur bashkë me Uashingtonin i kemi realizuar aspiratat tona”, përfundoi Presidenti Thaçi.