Arbëri

Kurti thotë se marrëveshjen sekrete të Thaçit ia dha një zyrtar i NATO-s

Foto: Driton Paçarada / KD

Në opinionin nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti, lidhur me marrëveshjen sekrete të presidentit Thaçi, theksohet se kjo marrëveshje i është dorëzuar Kurtit nga një zyrtar i NATO-s.

“Në nëntor të vitit të kaluar, një zyrtar i NATO-s më dorëzoi mua, në cilën time si kryeministër në ardhje i Kosovës, një kopje me një marrëveshje ndërkombëtare të arritur në vitin 2013. Marrëveshja e ka formën e një shkëmbimi të letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen”, u tha në opinionin dërguar kryeparlamentares Vjosa Osmani, transmeton Koha.net.

Kurti ka kërkuar analizë të marrëveshjes sekrete NATO-Thaçi për Veriun

Në konferencën për media, Kurti ripërsëriti se letërkëmbimin midis Thaçit dhe Rasmussenit nuk e ka gjetur në zyre, por i është dhënë prej një zyrtari të Aleancës Veriatlantike.

“Falë tij e morëm letërkëmbimin dhe këshilltarët ligjorë e dhanë opinionin, të cilin e bëmë publik”, ka thënë ai.

Kurti ka mbajtur të mërkurën një konferencë shtypi, disa orë pas publikimit të një marrëveshjeje sekrete për Veriun e Kosovën.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, kryeministri Thaçi, në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së, në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar. Ajo që menjëherë bie në sy, është se marrëveshja e mban datën 19 prill 2013, të njëjtën ditë kur u arrit e ashtuquajtura “Marrëveshja e Brukselit” (marrëveshja Kosovë-BE/BE-Serbi) e cila u publikua menjëherë brenda ditës dhe u ratifikua dy muaj më vonë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo që dëshmon letërshkëmbimi Thaçi-Rasmussen, pra, është fakti se ka jo vetëm një, por dy marrëveshje të Brukselit. Krahas marrëveshjes së publikuar dhe ratifikuar, ka pasur një tjetër marrëveshje, një marrëveshje sekrete dhe të paratifikuar, për të cilën z. Thaçi për arsye ende të panjohura nuk i ka informuar as deputetët e Kuvendit, as publikun e gjerë”, thuhet në shkresën zyrtare.