Iowa vazhdon përkrahjen ndaj Kosovës Foto: OAK

Iowa vazhdon përkrahjen ndaj Kosovës

26 February 2020 10:06

Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Iowas do të vazhdojë të fuqizohet, përmes bashkëpunimit më të afërt ndërmjet autoriteteve lokale të të dyja shteteve, por edhe duke u zgjeruar me bashkëpunimin ekonomik. Kjo u tha gjatë një takimi të Zëvendësguvernatorit të shtetit amerikan të Iowas me një delegacion të kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal - Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Zëvendësguvernatori i Shtetit të Iowas, Adam Gregg, siç njofton kumtesa zyrtare nga Oda Amerikane në Kosovë, u shpreh i lumtur me partneritetin e Iowas me Kosovën, i cili reflektohet përmes marrëveshjeve të partneritetit ndërmjet qyteteve të ndryshme të Kosovës me ato të Iowas. Ai shprehu zotimin e shtetit të tij për zgjerimin e këtij partneriteti edhe në fushën e ekonomisë, duke theksuar mundësinë që biznese nga Iowa të bëhen pjesë e delegacionit të Guvernatores së Iowas, gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin qershor.

Pjesë e këtij delegacioni janë kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Kryetarët e komunave të Kosovës shprehën zotimin e tyre për fuqizim të partneritetit me qytetet përkatëse nga shteti i Iowas, duke prezantuar mes tjerash edhe mundësitë për investime në komunat e tyre për kompanitë amerikane nga Iowa. Ata shprehën mirënjohjen e tyre për përkrahjen e shtetit të Iowas për Kosovën në fusha të ndryshme.

Gjatë kësaj vizite, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri do të nënshkruajë marrëveshjen e partneritetit ndërmjet qytetit të Gjilanit dhe qytetit Sioux City të Iowas, ndërsa Kryetari i Komunës së Vushtrrisë do të ketë takime me homologun e tij si dhe komunitetin e biznesit nga qyteti Norwalk, i cili ka partneritet simotër me Vushtrrinë. Delegacioni i kryetarëve do të takohet edhe me Sekretarin e Shtetit të Iowas, me drejtues të qytetit Fort Dodge, autoriteteve ushtarake të Gardës Nacionale të Iowas, por edhe me kompani e organizata të tjera ekonomike, arsimore, kulturore e sportive.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme