Haradinaj: Rugovën e kam votuar, por historia do ta cilësojë o me tradhti, o me budallaki o me raki

25 February 2020 23:43
23:59

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, ka thënë se në fillim ka pasur shpresë në Ibrahim Rugovën.

Në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se e ka votuar dhe e ka ndihmuar ta ndërtojë LDK-në në pjesën e Deçanit. Thotë se është ndër të parët që është aktivizuar në LDK.

Por, thotë se zhgënjimi ndaj Rugovës ka ndodhur kur ai “tërhiqet nga UÇK-ja”.

“Pas vrasjes së rektorit, ai tha se do t’i thërras të gjitha organet e kriminalistikës për të zbuluar vrasjen, pastaj na quajti dorë e zezë, pastaj bëri thirrje që edhe NATO të hyjë në Kosovë. Jam zhgënjyer me të. Për vetë faktin se për 9 vite, e kreu një detyrë, me vetëdije apo pavetëdije, që asnjë gjeneral i Millosheviqit nuk ia kish mbajt nën trysni Kosovën dhe ka qenë duke ia heq të gjithë administratën nga puna, minatorët… kur janë çu minatorët e kanë shkarkuar Rrahman Morinën… t’i bëjë të gjitha gjërat kundër teje, dhe ta ruajë kontinuitetin e paqes deri ai lufton shlirë me shtetet tjera, duke thënë se ka me na mbyt për tri ditë e duke mbjellë frikë… mendoj se kjo është pjesë e gabimit të tij që do ta cilësojë historia o me tradhti, o me budallaki, o me raki që e ka pirë dhe s’ka qenë i vetëdijshëm çfarë po bën. Ky është konkluzioni im. Për 9 vite ka bërë argat dhe e ka mbajtur popullin nën qetësi duke menduar populli që ky e ka mirë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj: Armend Zemaj e di kush e vrau Tahir Zemajn

Nasim Haradinaj ka thënë se beson që deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e di se kush e ka vrarë Tahir Zemajn.

“I kanë treguar organet e KFOR-it atij”, ka thënë ai, duke shtuar se vetë nuk e di emrin dhe mbiemrin e vrasësit.

Duke folur më herët rreth Tahir Zemajt, Haradinaj ka thënë se ai ka qenë komandant zone i UÇK-së, ai është i shpallur hero.

Haradinaj: Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës s’pati më vrasje politike

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, ka thënë se pas vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, nuk kanë ndodhur më vrasje politike.

“Asnjë vrasje politike nuk ndodhi pas vdekjes së Ibrahim Rugovës”, tha Nasim Haradinaj në Interaktiv të KTV-së.

“Kjo është interesante”, deklaroi ai, ndonëse nuk deshi ta elaborojë këtë.

23:43

Haradinaj: Janë ngritur aktakuzat e para nga Specialja – 250 ftesa janë dërguar deri tani

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në OVL ka rreth 160 të lajmëruar që kanë marrë ftesa nga Gjykata Speciale, ndërkohë që bazuar mbi raportet në medie, ai shton se ky numër ka arritur në mbi 250.

“Janë 5 vjet pune të kësaj Gjykate, fond marramendës i shpenzuar, ka trysni politike dhe ata duhet që ta arsyetojnë fondin që e kanë shpenzuar”, tha Haradinaj.

Aktakuzat e para nga Specialja tashmë janë ngritur dhe po pritet konfirmimi i tyre.

“Vetë fakti dhe mënyra e thirrjes, cilësimi dhe ndarja e perceptimit se kush do të thirret, është politik dhe etnik”, ka thënë ai, duke elaboruar se deri më tani janë thirrur vetëm shqiptarë.

“Ne si OVL kemi qenë kundër kësaj gjykate”, ka thënë ai, duke iu referuar miratimit në Kuvend të Kosovës të ligjit për krijimin e Speciales.

“Përderisa mendojmë që kemi shtet, ne kemi vërejtje në Parlamentin tonë, por mendoj që nuk duhet t’ju jepet rast që të ndërmerren veprime që shkojnë në dëmin tonë dhe atyre ua arsyeton veprimet e tyre politike. Për mua është e pakuptimtë të mos përgjigjemi atje, por jo ta njohim si Gjykatë. Kemi mundësinë ta themi atje që nuk e njohim si gjykatë”.

“Nuk duhet trembur nga aktakuzat, edhe llogaritur se më tepër është shpifje, se sa ka pasur mundësi me bo krime UÇK-ja. Dihet se kush ka mundur të bëjë krime”, tha Nasim Haradinaj.

Sa iu përket rrëfimeve ndër vite për vrasjet, Haradinaj ka thënë se “po keqkuptohen njerëzit, se çfarë kanë folur dhe kush ka folur”.

“Njerëzit që kanë folur për familjarët dhe të dashurit e tyre mendoj se kanë arsye përderisa nuk i japin konotacion politik. E keqja është se kjo po shfrytëzohet prej tjerëve”, ka shtuar ai.

Haradinaj tha se mbi 200 ushtarë të UÇK-së janë vrarë pas luftës, duke iu përgjigjur pyetjes se si do të mund të kategorizoheshin vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të ndonjë partie.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Luli26/02/2020 13:29

Te lumt z. Haradinaj guximtar i drejt dh me ven.

[email protected]26/02/2020 13:29

lum populli qi e pat rugoven kurse e mjera kosova qi jupat juve.

Shto koment

Të ngjashme