Komiteti për sëmundje ngjitëse thotë se ka miratuar planin e reagimit për koronavirus

Komiteti për sëmundje ngjitëse thotë se ka miratuar planin e reagimit për koronavirus

23 February 2020 21:37

Komiteti për Monitorim e Sëmundjeve ngjitëse në Kosovë i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë ka miratuar të premten Planin e gatishmërisë dhe reagimit për koronavirusin, pjesë e të cilit janë edhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë këtyre ditëve me qëllim të përgatitjes për ballafaqim me raste eventuale të këtij virusi.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, ky plan brenda të cilit zbërthehen me dhjetëra dhe qindra veprime e aktivitete ndërsektoriale ka të bëjë me planifikimin dhe parandalimin, monitorimin e situatës dhe vlerësimin e rrezikut, menaxhimin e rrezikut dhe koordinimin, organizimin institucional, hulumtimin dhe reagimin si dhe komunikimin (informimin) e rrezikut.

Ky komitet thotë se plani ka përcaktuar detyrat për secilin institucion që ka përgjegjësi në zbatimin e tij dhe parashikon reagimin për secilin skenar të mundshëm në rastet e epidemisë eventuale: skenarin e lehtë dhe atë të ashpër.

“Masat e ndërmarra deri më tani janë koordinuar me Zyrën e OBSh-së në Kosovë dhe kanë marrë parasysh dhe udhëzuesit e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC) dhe deri tash janë duke u zhvilluar sipas Planit të gatishmërisë. Ky plan gjithashtu detajon edhe mënyrat e menaxhimit klinik të rasteve, masat mbrojtëse për personelin shëndetësor, kapacitetet laboratorike dhe ato të trajtimit, ndërlidhjen midis niveleve të kujdesit shëndetësor me agjensionet dhe institucionet e tjera jashtë sektorit shëndetësor dhe shumë masa të tjera, të cilat mund të modifikohen varësisht prej zhvillimit të situatës në vend dhe në nivel global lidhur me Covid-19”, thuhet në njoftim.

Komiteti, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, do t'i kërkojë Qeverisë edhe ndërmarrjen e masave shtesë për krijimin e kapaciteteve (të identifikuara tashmë) për aplikimin e masave specifike si karantina në rast nevoje.

Sipas njoftimit në procesin e zbatimit të Planit të gatishmërisë dhe reagimit janë të përfshirë:

Ministria e Shëndetësisë (MSh), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Qendra Klinike Universitare – Klinika Infektive dhe Qendra Emergjente (QKUK/KI, QE), Spitalet rajonale, Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Agjensioni i Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AUV), Forca e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes (FSK, MM), Policia e Kosovës (PK), Inspektoriati Shëndetësor dhe ai Sanitar, Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Qendrat sentinel për rastet me grip (ILI), ARI dhe SARI dhe Coronavirusin e ri COVID-19.

Gjithashtu, varësisht nga burimi dhe rruga e përhapjes së infeksionit, në proces përfshihen edhe shërbimet veterinere komunale, institucionet dhe organizmat të identifikuar nga Qeveria dhe partnerët tjerë relevantë.

“Komitetit për Sëmundje ngjitëse, bën të ditur se për momentin në Kosovë nuk ka raste me koronavirus, dhe tash për tash, po punohet në baza ditore për komunikimin e rrezikut dhe informimin e popullatës, megjithëse vërehet, se në mungesë informacioni, ka edhe individë të ndryshëm që ndonjëherë, ndoshta pa qëllim, shkaktojnë konfuzion e panik me gjysëminformata rreth trajtimit të kësaj çështje në Kosovë”, thuhet në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme