Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

21 vjet nga masakra e Studimes

Sot janë bërë 21 vjet që kur forcat serbe kanë kryer masakrën e Studimes, ku humbën jetën 116 persona.

Me rastin e 21 vjetorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Studime të Vushtrrisë.

“Homazhet u bënë në nderim të 21- vjetorit të Masakrës së Studimes ku humbën jetën 116 persona. Shumica e qytetarëve të Vushtrrisë dhe të fshatrave në rrethinë ishin larguar me forcë nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe në fund të Marsit dhe fillimit të Prillit 1999, përderisa disa prej tyre ishin në gjendje të rrinin deri më 2 Maj”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Image

Sot e kësaj dite përgjegjësit e këtij krimi enden të lire, dhe askush s’është sjellë para drejtësisë.

“Më 2 Maj 1999 policia Serbe dhe forcat paramilitare kishin nxjerrë me forcë nga konvoi qytetarët, u kishin kërkuar para dhe më pas i kishin vrarë 116 persona në vend. Krejt kjo kishte ndodhur brenda 2 orësh. Sot, 21 vjet pas, akoma askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë masakër. Është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një statusi në Facebook ka thënë se martirët e masakrës së Studimes ranë duke kërkuar të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre.

Edhe Kurti: Krimet e Serbisë nuk harrohen, po sigurohemi që asnjë brez të mos e përjetojë më terrorin Arbëri 2 muaj më parë Kurti: Krimet e Serbisë nuk harrohen, po sigurohemi që asnjë brez të mos e përjetojë më terrorin

Haradinaj ka thënë se gjaku i tyre obligon Kosovën, që të mos ndalet kurrë gjersa përgjegjësit e këtij gjenocidi të dalin para drejtësisë.

“Me pietet kujtojmë sot martirët e masakrës së Studimes, të cilët ranë duke kërkuar të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre. Gjaku i derdhur i martirëve na obligon të mos ndalemi kurrë gjersa përgjegjësit e këtyre masakrave dhe gjenocidit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.