Për shkak të gabimeve, kërkohet largimi nga përdorimi i disa teksteve shkollore

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 21 February 2020 19:16

Ndonëse janë shpenzuar qindra-mijëra euro për botimin e librave të rinj, viti shkollor 2019-2020 ka krijuar konfuzion për nxënës të cikleve të ndryshme, por edhe për vetë mësimdhënësit.

Pos kësaj, edhe përmbajtja e njësive mësimore nuk është e përshtatshme për nxënësit e ciklit fillor, për shkak të gabimeve përmbajtësore, jokreativitetit e mospërshtatjes me moshën e nxënësve.

Mësimdhënësit thonë se janë në hall dhe se shpesh nuk kanë idenë se si t’u shpjegojnë nxënësve gjëra që nuk janë të qarta as për vetë ata.

Andaj, shumë mësimdhënës e drejtues të institucioneve shkollore në 5 komunat e vendit, në Prishtinë, Podujevë, Obiliq, Fushë Kosovë e Drenas, kanë kërkuar që të rishikohen ose të anulohen tekstet shkollore për klasat 1,2,6,7,10,11, të hartuara vitin e kaluar.

Sipas njohësve të arsimit, anulimi i këtyre teksteve shkollore dhe hapja e konkursit është domosdoshmëri, por, sipas tij, pikënisje e ndryshimit nuk është vetëm konkursi, por i tërë procesi i vlerësimit të tyre.

Për shkak të shkeljeve, nga Këshilli i ekspertëve të teksteve shkollore, vitin e kaluar dhanë dorëheqje dy anëtarët Fadil Grajçevci dhe Sefer Avdiaj, me arsyetimin se i gjithë procesi ka qenë i montuar dhe ka pasur favorizime.

Përderisa klasat 1, 2, 6, 7, 10, 11, nga shtatori i vitit të kaluar janë duke punuar me tekste të reja, klasat 3,4,5, 8, 9 dhe 12, ende janë duke punuar me tekste të vjetra.

Vetë ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se kërkesat e këtyre mësimdhënësve do të shqyrtohen konform ligjit në fuqi, pa sqaruar se cilat do të jenë veprimet e saj konkrete.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme