U protestua kundër Tomë Gashit, Oda e Avokatëve nis procedurën disiplinore ndaj tij pas rastit me lypësin

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 19 February 2020 19:32

Protestuesit ia sugjeruan avokatit Tomë Gashi si detyrë shtëpie që t’i mësojë të drejtat e njeriut.

Me mesazhet e shprehura nëpërmjet pankartave kundër veprimit të Gashit, ku ditë më parë ia shqelmoi një lypsari pakon që mbante paratë e marra si lëmoshë në sheshin e kryeqytetit, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka protestuar para zyrës së tij.

Ata e kanë dënuar ashpër këtë veprim.

“Jemi mbledhur këtu disa qytetarë për të shprehur indinjatën tonë ndaj një veprimi që avokati Tomë Gashi ka bërë ditë më parë. Siç e dini të gjithë, një video që është bërë virale nëpër rrjete sociale, ku Gashi shihet duke shqelmuar paratë e një personi, i cili ka qenë duke kërkuar lëmoshë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ne si iniciativë e të rinjve për të drejtat e njeriut dhe si pjesë e shoqërisë civile e dënojmë ashpër veprimin e tij”, ka thënë Blendë Pira nga YIHR Kosovo.

E krejt afër protestuesve ishte vendosur një baner me lajme të ndryshme kundër lëmoshëkërkuesve, për të cilin avokati Tomë Gashi thotë se nuk e ka vendosur ai.

I indinjuar me veprimet e Gashit është shprehur edhe deputeti egjiptian Veton Berisha, i cili e ka mbështetur protestën, duke shtuar se për të vënë rend e ligj janë organet kompetente dhe se nuk i takon një njeriu që ta bëjë këtë.

“Nuk jam ndier mirë me veprimet e z. Gashi, pasi është personalitet i njohur dhe e njeh drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Mendoj që Gashi ka dalë nga kompetencat e mandatit të tij. Ne si qytetarë kemi të drejtë vetëm të ndihmojmë shtetin në luftimin e dukurive negative, ndërsa në rastin e Tomë Gashit, e ka humbur durimin dhe i ka marrë punët e shtetit në dorë”, ka thënë deputeti Veton Berisha.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se ka nisur procedurën disiplinore ndaj avokatit Gashi.

“Në media ka qarkulluar një video rreth sjelljes së avokatit Tomë Gashi, ku zyra e prokurorit, e cila funksionon në kuadër të Odës së Avokatëve të Kosovës, ka bërë protokollimin e këtij rasti, të cilin do ta trajtojë tutje në procedurë disiplinore. Vlen të ceket se kemi pranuar edhe një ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Florim Shefqeti, drejtor i OAK-së.

Megjithëqë tha se do të prononcohet për këtë çështje, avokati Tomë Gashi pas protestës ka thënë se gjithçka që ka dashur të thoshte e ka shkruar në rrjetin social Facebook.

Ai ka shkruar se kjo protestë duhet të shërbejë për sensibilizimin e opinionit dhe të institucioneve përkatëse për trafikimin e fëmijëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

tafa20/02/2020 09:34

Gashi me at gjest nuk e e ka shkelmua lypsin po e ka shkelmua krimin e bosava qe me kombi-bus shperndajn "lypsaret" ne prani te shtetit e kta nuk nderrmarrin asgje

Shto koment

Të ngjashme