Arbëri

Plani qeverisës i VV-së në 40 pika

Përfaqësuesit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpalosur sot programin qeverisës, ku një nga prioritetet kryesore të këtij subjekti është zhvillimi ekonomik. Ata përmes 40 pikave programore në fokus kanë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale.

I nominuari për kryeministër nga kjo lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij do të luftojë korrupsionin dhe do të zhvillojë vendin në të gjitha aspektet. Sipas tij, mirëqenieje e përgjithshme në Kosovë nënkupton që nuk duhet të ketë familje pa kulm mbi kokë, nuk duhet të ketë familje pa dikën të punësuar dhe nuk duhet të ketë fëmijë të uritur nëpër shkolla.

Ai po ashtu është ndalur edhe tek fusha e drejtësisë, për të cilën tha se gjatë vitit 2016-të, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga 715 të dyshuar për korrupsion u ka ngritur aktakuzë vetëm 241 prej tyre. Në gjysmën e parë të vitit 2016-të, pasuria e konfiskuar pas proceseve gjyqësore, sipas tij, nuk ishte as çerek milioni euro. Me ndryshimet që parasheh Vetëvendosje garanton që në asnjë mënyrë nuk do t’i rrezikojë interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Kosovapress.

Qeveria e Vetëvendosjes do të sjell zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes fondit sovran e Bankës zhvillimore, sovranitet shtetëror nëpërmjet ushtrisë e përmes bashkimit të Mitrovicës, integrim të plotë të serbëve, e dialogut të hapur me ta. Qeveria e Lëvizjes sonë nuk do t’i rrezikoj interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë. Do të ndërtojmë partneritet të mirëfillti për zhvillim e progres, për mbështetje të pakursyer të ndërsjellët, pa armiqësie e servilitet. Armiqësia a steriliteti janë dy ekstreme. Lëvizja jonë është kundër ekstremizmave, ne jemi për normalitet. Me komitetet e Lëvizjes sonë dhe me profesionistët e ekspertët tanë kemi përpiluar 40 zotime tona“, tha Kurti.

Sipas tij, plani zhvillimor do të mbështetet nga krijimi i fondit sovran, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës, dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës. Fondi sovran tha se do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK, korporatës së thëngjillit, PTK-së. Brenda këtij fondi, sipas tij, do të themelohet komponentë kredituese, e cili do të financohet nga paratë publike.

Lideri i kësaj partie, Visar Ymeri, tha se 40 pikat janë programi i cili do të paraqes ndryshimin që do të ndodh në vendin. Në këto 40 pika, sipas tij, ngërthehen të gjitha nevojat që i ka sot vendi.

“Po ashtu një Republikë e cila nuk është e zhvilluar ekonomikisht nuk mund të jetë as plotësisht sovrane. 40 pikat e Lëvizjes Vetëvendosje e sovranizojnë Republikën, ia bashkojnë asaj territorin, ia mbrojnë kufirin, ia mirëmbajnë dhe zhvillojnë resurset dhe ia japin të drejtën e vendimmarrjes qytetarit. Këto 40 pika i faktorizojnë shqiptarët, sepse e përfaqësojnë Kosovën me Shqipërinë, e nxisin bashkëpunimin në funksion të faktorizimit të shqiptarëve, përmirësimit të jetës së shqiptarëve në përgjithësi dhe në funksion të paqes në rajon. ...Nuk mund të zhvillohet ekonomia me politika hard hot, të aty për atyshme që bëhen për interesa momentit dhe partikulare të personave të caktuar. Deri sot të vetmet vendime ekonomike që i kemi parë nga qeveritë të ndryshme kanë qenë pa plan e të pa menduara, më shumë të dëmshme se sa të dobishme për vendin“, tha Ymeri.

pari i Komunës së Prishtinës, që është kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se Vetëvendosje për çdo çështje madhore ka pasur çdoherë zgjidhje. Madje për çështjen e demarkacionit tha se i kanë 6 plane.

“Kemi plane 6 pikësh për demarkacionin, kemi plane e qëndrime gati për çdo çështje të rëndësishëm. Në fakt mendoj se është e vetmja Lëvizja Vetëvendosje që i ka të shkruara qëndrimet dhe zgjidhjet se si duhet me problemet që i kemi në Republikën e Kosovës. ...Është e qartë se për Lëvizjen Vetëvendosje në fokus është qytetari. Të pa punë përmes shtetit zhvillimor do ta bëjmë me punë .Të punësuarin përmes shtetit social do ta bëjmë më të mbrojtur, e punëtorin e mbrojtur do ta bëjmë përmes shtetit të së drejtës do ta bëjmë të fuqishëm. Ky është kalimi, kur po e mendoj tash çdo simbolik po lidhet se Vetëvendosje është ardhmja e Kosovës.”, tha Ahmeti.

Ndërsa, kandidatja për deputete nga kjo lëvizje, Albulena Haxhiu, ka shpalosur 11 prioritetet që ky subjekt ka për shtetin e së drejtës. Ajo ka thënë se në legjislaturën ardhshme do të formojnë hetim parlamentar për SHIK-un, e po ashtu do të punojnë në zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës dhe rastet e fundit të vdekjes së Astrit Deharit dhe vrasjeve të tjera që kanë ndodhur në vend.

“Hetimi parlamentar i organizatës SHIK, mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën dhe rrjetin e veprimit. Shumica parlamentare e drejtuar nga VV, në legjislaturën e ardhshme do ta zhvilloj dhe përmbyll hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale SHIK , dosjet e prodhuara prej saj, përfshirjen e personave dhe rolet e tyre në të....Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, krijimit të njësisë së veçante të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pa zbuluara. “, tha Haxhiu.

Po ashtu, vetingu vlerësimi i përgjithshmen nëpërmjet një ligji të posaçëm nëpërmes vetingut. Ajo tha se konsiderohet që kjo është e domosdoshme ligji për vetingut dhe se me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes do të procedojnë ligjin e vetingut.

40 pikat e planit qeverisës të Vetëvendosjes:

1. Zbatimi i Planit zhvillimor mbështetur nga krijimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Republikës së Kosovës - investime në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, PTK-së

2. Themelimi Forcave të Armatosura të Kosovës

3. Rishikimi shkencor, administrativ dhe parlamentar i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi

4. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike nga kapitali publik, krijimi i tregut të përbashkët energjitik Kosovë-Shqipëri, rishikimi i tarifave të energjisë elektrike dhe reformimi i sistemit tarifor

5. Ujitje për tokat bujqësore - Revitalizimi i plotë i sistemit të ujitjes “Ibër-Lepenc” dhe studimi për zgjerimin e tij

6. Rritja e subvencioneve e granteve në bujqësi dhe sigurimi i plotë i prodhimit bujqësor

7. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore

8. Hartimi dhe zbatimi i planit për banimin e përballueshëm dhe banimin social

9. Rindërtimi i plotë i Kadastrit dhe zgjidhja e çështjeve pronësore me prioritet

10. Krijimi i Planit për furnizimin me ujë të pijshëm në qytete dhe trajtimin e ujërave të zeza, rrjetet e kanalizimit në të gjitha fshatrat e Kosovës me mbi 200 shtëpi

11. Reformimi progresiv i tatimit në të hyra si dhe reformimi i tatimit për Korporatat

12. Zvogëlimi i numrit të Ministrive dhe reformimi i Administratës

13. Krijimi i tregut të përbashkët për prodhimet, mallrat, shërbimet dhe biznesin mes Kosovës dhe Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e BE-së

14. Ndërtimi i Komisioneve të Përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore

15. Rritja e pensioneve për pensionistët kontributdhënës

16. Sigurime Shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës

17. Shtesa 10 euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeçare

18. Sigurimi i jetës së të gjithë anëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve

19. Trefishimi i numrit të inspektorëve të punës dhe ndalimi i punës mbi pesë ditë në javë për vendet e punës jomenaxheriale

20. Hapja e 160 çerdheve të reja në bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës

21. Rimëkëmbja e shkollave të Republikës së Kosovës

22. Arsim i lartë publik pa pagesë

23. Ndërtimi i Teatrit të Operas, dhe investime në kinematë publike

24. Rritja direkte e subvencionimit të klubeve sportive me rezultate të larta si dhe ndërtimi i Stadiumit të futbollit me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s

25. Ushqim falas për fëmijët e klasave fillore nga 1 deri në 5 në të gjitha shkollat publike të Republikës së Kosovës

26. Ndalja e rritjes së mëtejshme të pagave të deputetëve, presidentit, kryeministrit dhe pozitave të tjera të zgjedhura

27. Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

28. Krijimi i Dhomës së Veçantë të Punës në Gjykatat e Republikës së Kosovës që do të merret me shkeljet e të drejtave të punëtorëve

29. Hartimi dhe miratimi i Ligjit për referendum në Republikën e Kosovës

30. Të rinjve dhe të rejave nga mosha 16 vjeçare do t’u jepet e drejta e votimit

31. Hetimi parlamentar i organizatës ilegale “SHIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit

32. Hetim Parlamentar për Privatizimin e KEDS-it, për kontratat e ndërtimit të autostradave “Vërmicë-Prishtinë-Merdarë” e “Prishtinë-Shkup”, si dhe për procesin privatizues të PTK-së

33. Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit - Krijimi i Njësisë së veçantë të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara

34. Veting (vlerësim i hollësishëm) për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës nëpërmjet një ligji të posaçëm

35. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia

36. Nisja e Zbatimit të planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës

37. Fillimi zyrtar i Dialogut të hapur me qytetarët e pakicës serbe të Kosovës

38. Mbështetja institucionale për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

39. Krijimi i komisionit parlamentar për vlerësimin e Dialogut të deritanishëm me Serbinë gjatë viteve 2011 – 2017

40. Dërgimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias për vlerësimin e ligjshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare, dhe anulimi i Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për krijimin e “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”