Arbëri

Kurti: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së njëherësh

Foto: Alban Bujari / KD

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë sot në Munih ka thënë se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë.

Ai thotë se synimi kryesor i tij është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për këtë pret edhe ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Besoj se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Lufta kundër krimit të organizuar dhe nivelit të lartë të korrupsionit janë me rëndësi kruciale edhe për demokratizimin e vendit por edhe për investimet. Besojmë se Bashkimi Evropian mund të na ndihmojë me përvojën e saj”, ka thënë Kurti, transmeton Koha.net.

Kurti në Munih: Dialogu të bëhet pa harta, dhe pa presidentë rreth hartave

Kurti është shprehur se Minishengeni duhet të përfshihet në Procesin e Berlinit, kur në tavolinë do të ishin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që së bashku duhet të punojnë për të arritur që në të njëjtën kohë të anëtarësohen në BE.

“Besoj se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë, pasi nuk mendoj se ka ndonjë mundësi tjetër. Nëse një apo dy vende bashkohen para të tjerëve mendoj se do të kishte edhe më shumë probleme. Ne duhet të punojmë dhe të përgatitemi që të gjitha gjashtë vendet të bashkohen në të njëjtën kohë. Dhe kjo ideja e Minishengenit, që nuk është shumë e qartë për mua, pasi nuk kam parë shumë dokumente, besoj se duhet të përfshihet në Procesin e Berlinit, ku të gjitha vendet do të ishin në tavolinë”, ka thënë Kurti.