Nesër në Kosovë do të mbaje mot i ndryshueshëm, me diell e vranësira, derisa do të ketë reshje shiu e bore në viset kodrinore-malore, bën të ditur IHMK-ja përmes një komunikate për media.
“Do të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira të cilat gjatë ditës, deri në orët e vona parashihet të shoqërohen me reshje shiu, kurse në viset kodrinore-malore reshjet e shiut do të shoqërohen edhe me fjolla bore. Kjo situatë e motit me shi parashihet ditën e premte, por edhe të shtunën në orët e para do të vazhdojnë reshjet vende-vende me intensitet të dobët”, thuhet në komunikatë.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-9 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi herë-herë me vrull, shpejtësia e së cilës parashihet të arrijë deri 18m/s në Dukagjin, ndërsa në rrafshin e Kosovës shpejtësia maksimale parashihet të arrijë deri 14m/s.
“Kjo situatë meteorologjike do të ndikojë pozitivisht që kushtet biometeorologjike të jenë relativisht të mira. Java tjetër, konkretisht dita e pavarësisë parashihet të jetë me temperatura të larta, mbi mesataren e muajit që jemi. Ato do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius”, thuhet në komunikatë.