Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë të ditur se gripi në Kosovë ka kaluar në pragun endemik.
“Gripi sezonal ka kaluar pragun epidemik dhe ka rritur intensitetin nga i mesëm në të lartë. Të njëjtin intensitet të lartë e kanë edhe Bullgaria, Maqedonia, Rumania dhe Serbia, kurse intensitet shumë të lartë: Shqipëria, Greqia dhe Sllovenia, Shtetet e BE kanë regjistruar gjithashtu intensitet të lartë dhe shumë të lartë”, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, prej 1 tetorit 2019 deri më 9 shkurt 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në Grip, prej të cilave 214 (41 %) mostra kanë rezultuar pozitive, prej të cilave 98 (45.8%) pozitive në grip A dhe 116 (54.2%) pozitive në grip B.
Sipas komunikatës, në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetor 2019 deri më 09 shkurt 2020 janë hospitalizuar 492 raste me Bronchopneumoni (ARI), 154 raste me SNG dhe 35 raste me SARI dhe 5 raste fatale me sëmundje të mëparshme kronike të njohura dhe një rast si pasojë e gripit sezonal.
Megjithatë, Instituti ka bërë të ditur se situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm duke dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.