Arbëri

Konjufca njofton për profilet e rreme që po i hapen për dezinformata

Foto: Driton Paçarada / KD

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se nuk posedon llogari në “Twitter”, nga ku ditët e fundit kanë shpërndarë lajme të rreme kinse në emër të tij.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të tij në Facebook, ai njofton të gjithë të mos bien pre e profileve të rrejshme, të cilat sipas tij, hapen me qëllime të panjohura, transmeton Koha.net.

“Të dashur qytetarë, dua t’ju njoftoj se unë nuk kam llogari në twitter, as personale dhe as zyrtare. I lus mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ta shpërndajnë këtë njoftim dhe të ndihmojnë që publiku i gjerë të mos bjerë pre e profileve të rrejshme, të cilat hapen me qëllime të panjohura”, shkruan Konjufca.

Pak ditë më parë, dikush kishte hapur llogari të rreme në Twitter në emër të Glauk Konjufcës, dhe kishte kumtuar lajmin se kinse ka vdekur ish-i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

“URGJENTE. Ambasada jonë në Finlandë raporton për vdekjen e Martti Ahtisaarit, laureatit të çmimit Nobel, diplomat dhe ish-President i Finlandës”, shkruhej në llogarinë e rreme që u raportua se është hapur në emër të Konjufcës.

Pak më vonë, gjatë asaj dite, e kishte demantuar vet Konjufca.