QKSS thotë se ndikimi rus në Kosovë ndihmohet nga korrupsioni e mungesa e sundimit të ligjit

QKSS thotë se ndikimi rus në Kosovë ndihmohet nga korrupsioni e mungesa e sundimit të ligjit

07 February 2020 14:53

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Dekonstruktimi i ndikimit rus në Kosovë”, me ç'rast u tha se në Kosovë ka ndikim rus, por që nuk është i madh.

Në raport thuhet se ndikimi rus në Kosovë nuk ka të bëjë me Kosovën por me Serbinë dhe rajonin, si dhe ndikimi rus nuk është i drejtuar drejtë fitores ndaj shqiptarëve, por është i drejtuar kundër Kosovës.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, mungesa e sundimit të ligjit, mbajtja e zgjedhjeve të shpeshta, sipas raportit janë disa nga faktorët që Rusia i shfrytëzon për të shtrirë influencën në Kosovë.

Autori i raportit Elis Vllasi, tha se në Kosovë ka ndikim rus, por që ky ndikim nuk është i madh. Vështirësi që të ketë ndikim rus në Kosovë, sipas tij është se popullsia e vendit është me orientim perëndimor.

“Kur mendojmë për ndikimin rus në Kosovë gjetjet e mija janë që ndikimi rus në Kosovë nuk ka të bëjë veçanërisht me Kosovën si të tillë, ndikimi rus në Kosovë ka të bëjë me rajonin, Ballkanin Perëndimor dhe me ish vendet e ish-bllokut komunist, si dhe me Serbinë. Siç ka theksuar një anëtarë i stafit ndërkombëtar rusëve nuk iu intereson shumë për Kosovën ajo që ka rëndësi për ta është Serbia, Serbia ka rëndësi për ta strategjike, politike, dhe ekonomike. Sipas burimeve të mia apo ata me të cilët kam folur lidhur me këtë hulumtim Rusia dëshiron të ketë ndikim në Serbi dhe kosovarët duhet ta paguajnë atë çmim. Në Kosovë shohim që ndikimi rus nuk drejtohet drejtë shqiptarëve për të parë pikëpamjen ruse, nuk ka të bëjë që të fitohen zemra dhe mendja e shqiptarëve, ndikimi në fakt drejtohet kundër Kosovës si shtet dhe ndoshta edhe shoqërisë kosovare në përgjithësi”, tha ai.

Sa i përket asaj se pse Rusia kërkon të ndikojë në Kosovë, ai tha se Rusia dëshiron të ndikojë në Kosovë për shkak se NATO dhe BE-ja janë në Kosovë dhe sipas tij, këto dyja mund t’i luftosh aty ku i gjen dhe në këtë rast të dyja janë në Kosovë.

Ai tha se serbët e Kosovës janë më lehtë të ndikueshëm nga Rusia, por që shtoi se është marrëzi të mendohet se kosovarët nuk mund të ndikohen.

Vllasi tha se në disa raste raportohet se disa institucione ndërkombëtare, sidomos UNMIK-u ndikohen nga Rusia, por që diçka e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë dhe nuk është prezantuar ndonjë fakt.

“Rusia ka ndikim global dhe po e përdor atë ndikim për të parandaluar Kosovën që të njihet dhe për ta parandaluar Kosovën që të bëhet anëtare e komunitetit botëror”, tha ai.

Ai tha se nëse dëshiron Kosova që ta ndalojë ndikimin rus, duhet ta luftojë ndikimin serb në Kosovë, pasi që Rusia ushtron ndikimin e saj përmes Serbisë.

Drejtori ekzekutiv i QKSS Mentor Vrajolli, tha se influenca ruse në përgjithësi në Kosovë por edhe në rajon është e ndërtuar në tri cikle, e që është në nivel ndërkombëtar, në nivel rajonal dhe në nivel lokal.

Sipas tij, një ndër format më të mira për të luftuar influencën ruse është investimi në sundim të ligjit.

“Një ndër format më të mira për të luftuar influencën ruse kudo në rajon është me investua në sundim të ligjit. Mendoj që arsyeja pse e ka penetruar qoftë në Kosovë apo në rajon kjo influencë është për faktin që ekzistojnë një tendencë e dukshme në vendet e Ballkanit Perëndimor që të ketë një farë lloj kapje të institucioneve kyçe shtetërore, me qëllim që të krijojnë një vazhdueshmëri të të qenit në pushtet nga një elitë e caktuar. Kjo në një farë forme i ka shkuar për shtati influencës ruse se nuk ka pasur ndoshta edhe me investua aq shumë”, tha ai.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, tha se Kosova duhet të ketë kujdes ndaj ndikimit rus, veçanërisht ndaj serbëve të Kosovës.

“Çështja mbetet se si ata do të ndikojnë gjegjësisht komunitetin serb këtu në Kosovë që realisht përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Kosovës po edhe në qeveri direkt është i lidhur me Listën Serbe, por normal edhe me disa parti politike që është një prej pjesëmarrësve në protestat paralajmëruese në Graçanicë, me parolla që kinse do të përcjellin një praktikë të Malit të Zi me miratimin e ligjit dhe do të cenojnë objektet e kishës ortodokse serbe në Kosovë. Një formë është një paralajmërim dhe që duhet të merr përsipër edhe ndikimi rus. Mandej tendenca dihet e arrestimit të dy qytetarëve rus në veri dhe çështje të tjera që pak në mediume kanë qenë prezentë”, tha ai.

Në këtë prezantim mori pjesë edhe zyrtarja Kira Kornilova nga zyra ndërlidhëse ruse në Kosovë, e cila është pyetur rreth aktiviteteve të kësaj zyre, por që nuk ka pranuar të përgjigjet.

“Më fal, unë nuk jam e autorizuar që të jap ndonjë koment”, tha shkurtimisht ajo./ksp/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme