Arbëri

OEK pret nga Qeveria Kurti ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik

Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë prioritet zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e vendeve të reja të punës të qëndrueshme për qytetarët e vendit.

Kështu u tha në takimin e Odës Ekonomike të Kosovës me Doganën, Administratën Tatimore dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës ekonomike të Kosovës, tha se presin nga qeveria e re që të ketë vërtet prioritet zhvillimin ekonomik.

"Takimi koincidon edhe me finalizimin e krijimit të institucioneve qeverisëse që janë si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit. Ne besojmë që qeveria duhet të ketë prioritet zhvillim ekonomik, ka pasur proklamim që do të jetë, por ashtu nuk ka ndodhur. Duhet që të gjithë bashkë të angazhohemi që ky vend të ofrojë vende pune të qëndrueshme", tha ai, raporton kosovapress.

Bahri Berisha, i cili udhëheq Doganën e Kosovës, tha se janë duke rishikuar udhëzimet administrative, me qëllim që të ketë sa më lehtësira për bizneset.

"Viti 2019 është mbyllur me 97 për qind të deklarime vullnetare të bizneseve. I gjithë ky bashkëpunim ka krijuar qe ne të rrisim të hyrat, sepse patëm ndikim të politikave fiskale, Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Vlerësojmë se këto efekte pozitive, që bizneset të kenë deklarime vullnetare", tha Berisha.

Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se përveç kontrollit të ushqimeve, u zotua se kanë punuar për lehtësira të bizneseve për import.

Ai ka inkurajuar të gjitha shoqatat e pranishme që të adresojnë kërkesat e tyre me qëllim të zgjidhjes së problemeve.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Nijazi Asllani tha se gjatë vitit 2019 ka pasur rezultate më të mira për 10 për qind të të hyrave.

"Këto të hyra kanë ardhur si rezultat i zvogëlimit të hendekut tatimor. Falë bashkëpunimit që kemi ne sot të hyrat në ATK janë mbi 90 për qind vullnetare", u shpreh ai.