Arbëri

Rreth 50 mjekë punojnë në degë të caktuara pa pasur specializim për to, pritet rregullimi i profilizimit

Rreth 50 mjekë të SHSKUK-së dhe spitaleve rajonale, të cilët që nga paslufta punojnë në degë të caktuara pa pasur specializimet për ato degë, pritet të legalizohen përmes një Udhëzimi Administrativ.

Oda e Mjekëve të Kosovës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kanë nisur diskutimet për një Udhëzim Administrativ, i cili do t’ua njihte mjekëve të degëve të ndryshime, si kirurgji, interno e pediatri, përvojën e punës prej 10 vjetëve në ato degë që kanë punuar, raporton KTV.

Në mesin e mjekëve të cilët punojnë në këtë formë janë edhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, dhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Invazive, Tefik Bekteshi, të cilët tashmë janë duke u hetuar nga Këshilli Etik i Odës e Mjekëve të Kosovës për mospërdorim të vulës valide nga Oda e Mjekëve.

Përmes këtij udhëzimi pritet që kompetencat për mbikëqyrjen e specializimeve t’i barten Odës.

Kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu, ka thënë se kjo çështje shkaktoi polemika pasi që pati refuzime që këto kompetenca t’i barteshin Odës.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se përmes një neni në këtë Udhëzim Administrativ pritet të bëhet profilizimi i specializimeve, por që nuk ka saktësuar se përmes cilës formë pritet të bëhet profilizimi.

“Grupi punues për hartimin e këtij udhëzimi, në përbërje të të cilit janë edhe përfaqësuesit e Odës së Mjekëve dhe të Odave të tjera të profesionisteve shëndetësor, ka punuar këtyre ditëve, edhe sot gjithashtu, në shqyrtimin e këtyre komenteve për t'i dhënë udhëzimit formën finale dhe për ta përcjellë për hapat e mëtejmë ashtu siç e parasheh Rregullorja e Qeverisë për nxjerrjen e akteve ligjore dhe nënligjore. ​Me këtë udhëzim administrativ rregullohen organizimi, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe procedura e edukimit specialistik për profesionistët shëndetësorë në Kosovë dhe përcaktohet përgjegjësitë e institucioneve e palëve të tjera në këtë proces. Përveç tjerash, UA parasheh në një nen të tij edhe profilizimin e specializimeve internistike, kirurgjikale dhe pediatrike”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Më tutje, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se Udhëzimi Administrativ për shkollimin specialistik pritet t’i rregullojë organizimet, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe procedurat e edukimit specialistik për profesionistët shëndetësorë.