Arbëri

Bujqit të zhgënjyer, ende s’janë bërë pagesat për subvencione nga Ministria e Bujqësisë

Foto: Koha / ilustrim

Shumë fermerë të cilët janë kultivues të kulturave bujqësore në vend nuk i kanë marrë ende mjetet financiare për vitin 2019 nga programi për mbështetje direkte-subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Keq kanë pësuar edhe përfituesit e granteve për bujqësi, të cilat asnjë prej tyre nuk kanë arrit deri tash t’i marrin mjetet për grante nga kjo ministri.

Krahas saj edhe shumë faktorë të tjetër janë që bujqit po zhgënjehen prej prodhimtarisë bujqësore, ose për t’u marrë me bujqësi. Një ndër arsyet është se nuk ka stimulim nga shteti dhe nuk ka përfitim.

Si pasojë e kësaj, disa fermerë ishin të zhgënjyer dhe kanë ikur nga vendi për të migruar në vendet perëndimore.

Ministria e Bujqësisë në kuadër të zotimeve të saj, ishte dashur që këto mjete financiare për subvencion ndaj bujqve, t’i alokojë në vitin 2019, por as në shkurt të këtij viti ende nuk i ka kryer obligimet ndaj fermerëve.

Kjo ministri nuk ka dhënë asnjë sqarim për KosovaPress për mosekzekutimin e mjeteve financiare ndaj fermerëve. Ndonëse, drejtues të Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, akuzojnë këtë dikaster për keqmenaxhim, keqpërdorim dhe shfrytëzim të kundërligjshëm të buxhetit të shtetit.

Fermeri Baki Haradinaj tregon për KosovaPress, se nuk ka arrit ende të marrë asnjë cent nga programi i vitit të kaluar për mbështetje direkte për bujqësi.

Për shkak të mos miratimit të buxhetit 2020, Ministria e Bujqësisë nuk ka aprovuar as programin për mbështetje direkte për vitin 2020.

“S’kemi marrë subvencione asgjë. Çka jemi fermerë më të mëdhenj nuk na i kanë lëshuar, përveç fermerëve të vegjël, ndërsa neve të mëdhenjve jo. Kam 64 krerë lopë, kam pasur diku 20 hektarë misër, 11 hektarë me grurë, dhe s’i kam marr asnjë cent për subvencion”, thotë Haradinaj.

Si kultivues i grurit, misrit dhe blegtorisë, ai thotë se janë të dëmtuar dhe zhgënjyer tej mase nga shteti.

Për t’i punuar tokat, Haradinaj thotë se ka qenë i detyruar të marrë edhe kredi për blerjen e mjeteve bujqësore. Ankesë tjetër, ai ka edhe për naftën e shtrenjtë dhe fitimin e vogël nga prodhimtaria bujqësore.

“Jemi të dëmtuar se po duhet me investuar, p.sh po hymë edhe minus, po marrim kredi për me i punuar tokat. Po duhet me i pasur edhe mjetet me punuar tokën, nafta shtrenjtë, të gjitha shtrenjtë. Gruri është korrë, këta (Ministria e Bujqësisë) ka dalë me verifikuar gjendjen e grurit dhe misrit, si dhe të lopëve. Na kanë thënë kemi me i lëshuar, ne jemi në vitin 2020, tash qeveri nuk ka, presin me aprovua buxhetin a se di çka”, deklaron Haradinaj.

Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri po thotë se është një numë shumë i madh i fermerëve të cilët ende nuk i kanë marrë subvencionet e vitit të kaluar.

Tahiri thotë se ka informacione se nuk ka buxhet, i cili sipas tij, është keqpërdorë vit pas viti nga Ministria e Bujqësisë.

“Në bazë të ankesave që na vijnë nga terreni, gati 50 për qind e fermerëve të cilët është dashur që t’i marrin subvencionet për vitin 2019 nuk i kanë marrë ende. Jemi më 2020, po kalon muaj janar dhe ende fermerët nuk i kanë marrë subvencionet për misër, për kultura tjera bujqësore, për patate, për lopë, për grurin kuptohet, për vitin 2018 ende ka fermerë që s’kanë marrë. Kjo vonesë për fermerët është tepër zhgënjyese. Kam informacione që po vazhdon migrimi i fermerëve në diasporë, të cilët po ikin dhe po e lënë tokën djerrinë, familjet dhe shtëpitë e zbrazura”, thotë Tahiri.

Ndërsa, ministri në detyrë i Financave, Lulëzim Rafuna thotë për KosovaPress, se për të gjitha projektet që kanë qenë vazhdimësi e vitit të kaluar, edhe për bujqësi janë mundësuar që të paguhen nga 1/12 e buxhetit 2019.

Sipas Rafunës, nuk është lejuar që të hapen projekte të reja për bujqësi, për arsye se nuk është miratuar buxheti 2020.

“Ne i kemi lejuar të gjitha organizatat buxhetore në përputhje me Ligjin për buxhetin e vitit 2019, ashtu siç e parash edhe ligji për menaxhimin e financave publike, që t’i shfrytëzojnë ndarjet që iu kemi lejuar, mirëpo nuk kemi lejuar që të hapen projekte të reja të cilat nuk kanë qenë obligime të viteve të kaluara ose për projektet të cilat nuk janë vazhdimësi e viteve të kaluara, për arsye se projektet e reja është dashur të parashihen në buxhetin e vitit 2020, buxhet i cili nuk është aprovuar ende”, thotë Rafuna.

Për sa i përket projektbuxhetit të vitit 2020, ministri Rafuna deklaron se ka rritje të buxhetit për bujqësi dhe organizata të tjera buxhetore.

Ndërsa, sipas Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thirrja për aplikim për subvencione të vitit 2020 ishte dashur të shpallet në muajin janar, mirëpo ende nuk është aprovua programi për vitin 2020 nga Ministria e Bujqësisë për grante dhe për subvencione. Programi ishte dashur që të aprovohet tre muaj para Vitit të Ri.