GAP: Shkalla e punësimit të grave mbetet më e ulët se e burrave

GAP: Shkalla e punësimit të grave mbetet më e ulët se e burrave

30 January 2020 14:13

Instituti GAP ka publikuar raportin statistikor për vitin 2019 “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”.

Ky raport paraqet në mënyrë statistikore pozitën e gruas në punësim, arsim dhe mirëqenie sociale.

Sipas GAP-it, statistikat për vitin 2019 tregojnë se në Kosovë, vajzat dhe gratë janë të interesuara për shkollim dhe punësim po aq sa djemtë dhe burrat.

“Megjithatë, shkalla e punësimit të tyre, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror. Deri në ditën e dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj, vetëm 10% e posteve të larta drejtuese (ministra, zv.ministra, sekretarë të përgjithshëm) menaxhoheshin nga gratë. Edhe në pozitat drejtuese në administratën komunale përfaqësimi i grave mbetet mjaft i ulët, me vetëm 20%”, thuhet në raport.

GAP thotë se përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave.

“Përderisa shkalla e papunësisë tek burrat, më 2019, ishte 22.8% apo 6.3 pp më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë tek gratë ishte 32.7% apo 2.1 pp më e lartë se në vitin 2018. Pra, përderisa papunësia tek burrat ka shënuar rënie, tek gratë ka ndodhur e kundërta. E në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave. Numri i burrave punëkërkues të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, në vitin 2019 ishte 52,343, kurse numri i grave punëkërkuese të regjistruara në agjencinë e punësimit ishte 43,547. Për më tepër, mbi 6,700 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil”, thuhet tutje në raportin e GAP.

Ky është raporti i tretë vjetor përmes të cilit, në mënyrë statistikore, Instituti GAP synon të vë në pah dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqenie sociale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme