Arbëri

Për 20 vjet, 21 policë të vrarë në Kosovë

Foto: REL / ilustrim

Sami Thaqi, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës që ka humbur jetën në krye të detyrës, që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë.

Ky pjesëtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, kurse dy zyrtarë të tjerë policor ishin lënduar, prej të cilëve njëri kishte marrë plagë të rënda.

Që nga rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor, që është regjistruar në shtator të vitit 2001, në vazhdimësi është ngritur edhe shqetësimi për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, që përkujdesen për rendin dhe ligjin.

Krahas numrit prej 21 policëve që humbën jetën në detyrë, numri i policëve të lënduar në kryerje të detyrës, konsiderohet të jetë shumë më i madh.

Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kamotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës, nuk ka arritur ta përmbushë, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli.

Ai thotë se rasti i fundit i vrasjes së policit, ngritë nevojën urgjente të krijimit të sigurimeve shëndetësore e jetësore për policët. Tasholli tregon se e vetmja ndihmë që familjarët e policëve që humbin jetën në detyrë, është një përqindje e pagës mujore.

“Policia e Kosovës nuk kanë as sigurim jetësor dhe as shëndetësor. Mirëpo në rastet specifike të lënduarit në detyrë, ekziston mundësia që shpenzimet të realizohen nga Drejtoria e Policisë”, tha Tasholli.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës që i ka bërë policit Artur Mrasori, në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, që mbeti i lënduar të martën i pasojë e një shpërthimi gjatë aksionit të 28 janarit në Zhur të Prizrenit, tha se Ligji për sigurimet shëndetësore për policinë dhe Ligji për pensionim të parakohshëm, janë të domosdoshëm dhe do të miratohen.

“Është një kërkesë e drejtë e policisë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm. Jemi në pritje të formimit të qeverisë së re për t’i dërguar këto ligje për miratim dhe kjo do të ndodhë”, tha Haradinaj.

“Gjatë këtyre dy vjetëve, është e vërtetë që kemi qenë më afër policisë edhe me buxhet edhe me përkrahje që nuk ka ndodhur ndonjëherë, mirëpo ato dy ligje janë të domosdoshme dhe duhet të realizohen”, tha Haradinaj.

Qeveria në largim e Kosovës, gjatë mbledhjes të mbajtur të mërkurën, vendosi që të ndajë 15 mijë euro për familjen policit të vrarë, Sami Thaqit, kurse nga 10 mijë euro për dy policët e lënduar gjatë aksionit në Zhur të Prizrenit.

Të plotë mund ta lexoni në REL