Lajçi: Duhet presion qytetar që institucionet të veprojnë për mbrojtje të kafshëve të egra

Lajçi: Duhet presion qytetar që institucionet të veprojnë për mbrojtje të kafshëve të egra

Norë Shabani 26 January 2020 07:00

Nëse njerëzit nuk do të fillojnë të kujdesen për kafshët e egra, e nuk do të nisë diskutimi për to dhe rëndësinë që ato kanë për natyrën dhe njeriun, atëherë biodiversiteti në Kosovë do të vazhdojë të bjerë.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Era”, Fatos Lajçi, e cila që nga viti 2014 monitoron kafshët e egra që jetojnë në Bjeshkët e Nemuna, ka alarmuar për rënien drastike të numrit të kafshëve të egra në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, nëse para 4 vjetëve në një vend kanë numëruar 18 dhi të egra, tani mund të numërojnë vetëm 6, numër për trefish më i vogël. Sipas Lajçit, mosdiskutimi për shtazët e egra bën që institucionet të jenë rehat dhe të mos merren fare me problemet që kafshëve të egra iu shkaktojnë njerëzit.

Ai ka theksuar se gjuetia legale e ilegale është njëra prej arsyeve që specie të caktuara në Kosovë janë duke shkuar drejt zhdukjes. Lajçi ka thënë se veprimi i menjëhershëm i institucioneve e aktorëve relevantë në këtë fushë është i domosdoshëm për ruajtjen e biodiversitetit. Ai ka theksuar se nevojitet ndalimi i gjuetisë për pesë vjet deri në inventarizimin e kafshëve të egra. Pas kësaj periudhe, sipas Lajçit, gjuetia do të mund të zhvillohej duke marrë për bazë të dhënat për llojin dhe numrin e kafshëve të egra.

Sipas tij, legjislacioni aktual që të mbrohen kafshët nuk është duke u zbatuar dhe për zbatim të tij ka thënë se është e nevojshme rritja e buxhetit. Për Lajçin, është e nevojshme që kosovarët ta kuptojnë rëndësinë që secila kafshë e ka rolin e vet në natyrë, e cila shkon në funksion të njeriut dhe zhvillimit të tij.

KD: Sa kuptohet biodiversiteti në Kosovë dhe sa vlerësohet rëndësia e tij?

Lajçi: Edhe pse ne kemi shkolla fillore, kemi shkolla të mesme e fakultete, kemi edhe Akademi të Shkencave, por fjala biodiversitet kuptohet vetëm brenda komunitetit profesional që e trajtojnë biodiversitetin, siç është Universiteti Publik, Katedra e Ekologjisë, Biologjisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe Ministria e Bujqësisë, pra tek komuniteti që i trajton këto tema. Por, tek komuniteti i gjerë biodiversitet është fjalë komplekse e ngatërruar dhe jospecifike, do të thotë se çdo krijesë e gjallë, që nga insektet e deri tek gjallesat më të mëdha, është biodiversitet.

Që popullatës t’ia bëjmë më të lehtë, bëhet fjalë për shtazët e egra. Të gjitha informacionet janë të sqaruara për institucionet, por për publikun jo. Opinioni nuk është i informuar për biodiversitetin ose llojllojshmërinë e shtazëve të egra, për jetën se si e jetojnë ato, sa vështirë mbijetojnë, çfarë heqin për t’i i lindur të vegjlit e tyre, çfarë heqin për t’i mbrojtur nga grabitqarët dhe nga njerëzit.

Opinioni nuk ka informacion dhe është larg me emocionin, sepse njerëzit që jetojnë nëpër zona urbane e shtazët jetojnë në zona malore, d.m.th. jemi të shkëputur nga ajo botë, nuk e njohim. Ne shprehemi me dashuri kur shohim në fotografi një drenushë, shprehemi me dashuri ose ndjena, sepse shumica i do, i admiron, shtazët e egra, dhe themi: si t’u ndihmojmë, por këtu përfundon çdo gjë, edhe përtej kësaj asgjë nuk zhvillohet. Kjo ua jep luksin institucioneve që të rrinë në karrige dhe të mos bëjnë asgjë, ata janë rehat nuk kanë presion.

KD: Çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim?

Lajçi: Nëse qytetarët nuk fillojnë të bëjnë presion, pyetje për këtë, pushtetarët do të marrin paga prej nesh pa bërë asgjë, dhe në fund shkruajnë që vendimi i marrë ditëve të fundit për ndalimin e gjuetisë në “Parkun kombëtar”, ku edhe më herët ka qenë e ndaluar me Ligjin për Parkun, është marrë për shkak se janë vrarë dy derra dhe një lepur. Kjo është absurde, kur në parqet kombëtare, brenda ditës, vriten, nuk po ekzagjeroj, por vriten minimumi çdo ditë nga një kaproll, dy e nga një dhi e egër, më falni, por nuk ekzistojnë një milion dhi të egra.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme