Raportimet nga Kosova të Fergal Keanet, korrespodentit të luftës të BBC-së i diagnostikuar me PTSD

Raportimet nga Kosova të Fergal Keanet, korrespodentit të luftës të BBC-së i diagnostikuar me PTSD

24 January 2020 20:47

Një nga korrespodentët më të respektuar po e lë punën pasi është diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) që ndërlidhet me raportimet e tij nga zonat e luftës.

Fergal Keane, i cili ka mbuluar gjenocidin në Ruanda, pastaj luftën në Kosovë dhe pushtimin e Irakut në karrierën e tij 30 vjeçare, ka vendosur ta lë pozitën e tij si redaktor i korporatës për Afrikë.

Këto janë dy nga shkrimet e tij nga lufta e Kosovës më 1999.

Tragjedia e të moshuarve

Shkruan: Fergal Keane, 6 maj, 1999

Në mesin e qindra mijëra refugjatëve kosovarë janë edhe shumë persona të moshuar të cilët pyesin nëse do të shohin sërish shtëpitë e tyre.

E askush më shumë se Hanusha Marina. Për më shumë se 100 vjet, ajo ka jetuar në Kosovë. Ajo ka parë dy luftëra botërore dhe ngritjen e rënien e Komunizmit.

Për të dhe familjen e saj, që tani janë në Kukës të Shqipërisë, pyetja më e rëndësishme është: a do të kthehet ndonjëherë në shtëpi?

Ajo thotë: “Kam jetuar gjatë nazistëve por kurrë s’kam përjetuar diçka më të keqe se kjo”.

Ne po ashtu takuam një 76-vjeçare, e paralizuar nga beli e poshtë, e cila bëri katër ditë për të arritur në Shqipëri.

Ajo udhëtoi me traktor me familjen e saj. Serbët ia bastisën shtëpinë asaj, thotë ajo, por e bija ia doli t’i fshihte stolitë e çmuara. Ishte kjo një fitore e vogël përball terrorit.

Ajo thotë se katër djemtë e saj i janë zhdukur dhe se ka qëndruar për tri ditë e vetmuar dhe pa ushqim para se familja e saj të niseshin për në Kukës.

Por në mesin e pensionistëve që po jetojnë në Kukës, ajo është një nga më fatlumet. Ajo e ka familjen me vete.

Ata pa askënd për t’u kujdesur për ta, përfundojnë në spitalin e Kukësit, i cili është i stërngarkuar dhe ka trajtim jo të duhur për të moshuarit.

Mjekët kanë nisur t’i transferojnë të moshuarit në një kamp refugjatësh, ku ata së paku do të kenë kujdes të mirë shëndetësor.

Refugjatët refuzojnë të shkojnë në Shqipëri

Shkruan Fergal Keane, 10 maj, 1999

Një skemë për të ulur numrin e refugjatëve në kampet e stërngarkuara në Maqedoni po has në rezistencë nga njerëzit të cilët po duan t’i ndihmojnë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se pak shqiptarë të Kosovës po dalin vullnetarë për të dalë nga Maqedonia në Shqipëri, ku po ndërtohen kampe të reja.

Ato kampe po ndërtohen për të pranuar deri në 60 mijë njerëz, por vetëm 600 kanë thënë se duan të transferohen në Shqipëri, dhe vetëm 82 raportohet se i kanë bërë valixhet gati.

Zëdhënësi i OKB-së, Kris Janowski, tha se janë të zhgënjyer me numrin e vogël të vullnetarëve deri më tani.

“Kemi parë shumë pak gatishmëri në mesin e pak njerëzve, duke pasur parasysh madhësinë e popullatës nëpër kampe, për të shkuar, por ndoshta do të ndërrojë. Të shohim”.

Korrespodentja e BBC-së në Gjenevë, Claire Doole, thotë se pas protestave për nisjet e detyruara për në Turqi një muaj më parë, OKB-ja nuk mund të shihet se po u bën presion refugjatëve të largohen.

Shumë thuhet se hezitojnë të marrin edhe një rrugë dhe të humbin mundësinë për të fluturuar për në Evropën Perëndimore dhe në SHBA.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, George Robertson, tha të hënën se 1,000 ushtarët britanikë aktualisht të vendosur në Maqedoni do të dërgohen në Shqipëri për të ndërtuar kampet e reja atje.

Ai tha se edhe 200 trupa tjera do të dërgohen në Shqipëri nga Britania e Madhe.

Që nga e mërkura e kaluar, pak refugjatë kanë kaluar në Maqedoni, por korrespodentët thonë se kjo gjendje vështirë se do të zgjasë.

Frika nga fluksi i refugjatëve

Maqedonia ka kërkuar ndihmë urgjente financiare nga Perëndimi për t’i dalë në ndihmë e të përballojë problemet ekonomike të shkaktuara nga konflikti i Kosovës dhe nga fluksi i refugjatëve.

Ministri maqedonas i Financave, Boris Stojmenov, tha në një konferencë për rindërtimin e Ballkanit që po mbahet në Greqinë veriore të hënën se vendi i tij po vuan nga rënia katastrofike e tregtisë dhe e zhvillimit.

Ai tha se kriza me refugjatë e ka mbështetur ekonominë për muri. Në konferencë po marrin pjesë liderë politikë e zyrtarë nga disa vende ballkanike dhe mbi 500 përfaqësues biznesesh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme