Misioni i BE-së thotë se procesi zgjedhor i 6 tetorit u përcoll me të meta serioze

Leonita Bajrami 24 January 2020 19:15

Me të meta serioze është përcjellë procesi zgjedhor në Kosovë.

Që nga fillimi i fushatës e deri te certifikimi i rezultateve, Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian ka identifikuar një numër të madh problemesh, raporton KTV.

“Vendimet kontraverse të gjykatës lidhur me numërimin e votave me postë, të ardhura nga jashtë Kosovës, dhe fakti se gati 90 për qind të të gjitha vendvotimeve u desh të rinumërohen, janë të meta serioze që duhet të trajtohen për të ruajtur mirëbesimin publik në procese demokratike”, ka htënë Viola Von Cramon – Shefe e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE.

Von Cramon konstatoi, gjithashtu, se ka probleme të përsëritura sikurse në zgjedhjet e tjera, si problemet rreth saktësisë së listës së votuesve dhe rregullimi e mbikëqyrja joadekuate e financave të fushatës.

Shqetësime janë ngritur edhe për frikësimin e atyre që nuk anonin për Listën Serbe, ndërsa KQZ-ja u kritikua edhe për rastin e votave të ardhura nga Serbia.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë raport përfundimtar për këtë incident. Por, edhe pa e pasur një raport, e di se KQZ-ja vendosi t’i numërojë votat që ndikuan edhe në rezultate, kjo është diçka që e kemi përmendur edhe në raport që ky incident nuk është trajtuar si duhet nga autoritetet e Kosovës”, ka thënë Marian Gabriel – Zëvendësshef i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE.

Raporti nënvizoi edhe punën e mediave gjatë kohës së fushatës së partive politike.

Në gjetje, thuhet se transmetuesi publik, RTK-ja, ka treguar mbulim të njëanshëm të fushatës në rrjete sociale dhe uebsajt, në favor të Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjithashtu, edhe Komisioni i Pavarur i Mediave, sipas raportit, ka ngecur në mbikëqyrjen efikase e efektive të mediave.

Pjesë e raportit ishin edhe 23 rekomandime, për adresimin e të cilave, nga Misioni për Vëzhgim e Zgjedhjeve nga BE-ja, u tha se duhet të formohet qeveria sa më shpejt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme