Arbëri

Thellohen akuzat Haradinaj-Rama: Ka qenë shtytësi kryesor i ndarjes së Kosovës

Ramush Haradinaj kryeministër në detyrë i Kosovës, ka thelluar akuzat ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me pretendimin se shefi qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.

Në emisionin Open në Top Channel, Haradinaj përqendrua edhe tek padia, që tha ai, e paprecendetë për shpifje bërë nga Edi Rama.

Haradinaj ka lëshuar dje deklarata të rënda kundër tre personave që sipas tij, e kanë projektuar dhe proklamuar idenë për shkëmbim me territore. I ftuar në Top Channel për të folur për padinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, ai e ka përsëritur deklaratat e tij se Rama ka pasur informacione për këtë ide, e se bashkë me të atë projekt ishin të përfshirë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe publicisti Baton Haxhiu.

Për këtë temë, Haradinaj thotë se është kujdesur që të mos shkaktojë më shumë pasoja në marrëdhëniet ndër shqiptare, porse është detyruar vet t’i bëjë publike. Haradinaj, tha se nga gjykata nuk ka marrë ende padi dhe s’e nuk e di se çka përmban padia e Ramës.

“Me këtë padi të tij, nuk fshihen idetë e tij për ndarje të Kosovës”, tha gjithashtu Haradinaj.

“Është paturpësi e Ramës. Ai ka qenë shtytësi kryesor i ndarjes, ai e ka përhapur këtë ide. Me fanatizëm ka përkrahë idenë e shkëmbimit të territoreve, nganjëherë të quajtur korrigjim i kufijve për ndarje të Kosovës, mirëpo, kam bë kujdes të mjaftueshëm, edhe pse ka qenë një temë e rrezikshme dhe me pasoja, që të mos shkaktoj pasoja të tjera në marrëdhëniet tona ndër njerëzore ndër shqiptare”, ka deklaruar më tutje.

Haradinaj thotë se në tryezën e shtruar kohë më parë nga presidenti Hashim Thaçi, ku të ftuar ishin Haradinaj, Kadri Veseli, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Edi Rama, ky i fundit ka folur vazhdimisht për ndarjen e Kosovës. Haradinaj, madje ka thënë se Rama, disa herë në prezencë të Vuçiqit, presidentit serb, ka fyer kolegët kosovarë.

“Na ka quajtur njërin rrenc, tjetrin hipokrit tjetrin marksist”, tha Haradinaj.

Haradinaj madje shton se këta persona kanë tentuar që ta joshin që ky t’i përkrahë duke i premtuar se do të mbetet në pushtet në Kosovë për tërë jetën, e do të mbetet në histori.

“Sido që të jetë, nëse dikush që ka qëndruar pas kësaj teme, vazhdon me aktivitete që ndërlidhen me të, jam i detyruar me ju përgjigj sikur që kam qenë i detyruar me kundërshtua, ju siguroj edhe një që, mu më kanë dërguar njerëz të afërt të gjithë këta, po edhe vetë, mos i dil kundër se është punë e kryme, se kanë vendos se është kështu, se është atje, ti mos u bë budall qysh ti po i del kësaj kundër kur të gjithë jemi për, kanë provua me lobu, kanë provuar në mënyra të tjera, kanë provuar deri … edhe joshje tjera të natyrave të ndryshme, si do të ishte kjo një perspektivë glory për udhëheqësit në Kosovë. Nuk du me hy në atë detaje, por, e konfirmoj dhe e them publikisht me vetëdije si njeri që ka një vetëdije një ndërgjegje të kujdesshme, që po kështu ka ndodhë fatkeqësisht. Cila ka qenë joshja, do të mbetesh në pushtet, do të mbetesh i përjetshëm, do jesh hero, do të bëhesh i njohur, do të hysh në histori, se ti do të bëhesh ai kjo ajo, do të mbetesh mik i përjetshëm i këtij i atij”, tha Haradinaj, duke thënë se këto ia kanë thënë të gjithë ata që ishin të përfshirë në temën e ndarjes.

Baton Haxhiu, në lidhje direkte me tch, se Edi Rama në asnjë deklaratë të tij nuk ka folur për korrigjim kufijsh.

“Unë nuk i interpretoj tavolinat, as opsionet që shtrohen mes burrështetasve për më të mirën e shqiptarëve”, tha Haxhiu duke iu drejtuar sigurisht Haradinajt.

Haxhiu tha se po, në tavolina është diskutuar për korrigjim porse nuk është vendosur asgjë.

“S’mund ta quajë më pas Ramën tradhtar sepse asgjë s’ka ndodhur”, tha Haxhiu.

“Mos e akuzoni Ramën për gjëra palidhje”, u shpreh tutje ai, duke thënë se ky diskurs ka prodhuar një aleancë gjeopolitike shqiptare.

Haxhiu tha se është krijuar një treshe kundër Ramës, me një diskurs të djathtë, që është Ramush Haradinaj, ish presidenti Sali Berisha dhe presidenti shqiptar Ilir Meta. Por, e ka kundërshtuar Ilir Babaramo, që ishte i ftuar në TCH, duke i thënë se vetëm Thaçi, Rama e Haxhiu e duan korrigjimin e kufijve, derisa përveç atyre që përmendi Haxhiu, kundër ndarjes janë Isa Mustafa, Albin Kurti, Fatmir Limaj e shumë të tjerë.

Haradinaj i tha Haxhiu se ndarja “nuk është çështje palidhje”, siç po shprehet ai.

Haxhiu, gjithashtu e quajti Haradinajn “mercenar”.

Haradinaj, tha se Haxhiu ka qenë i involvuar në temën për korrigjim kufijsh, qind për qind.

“Ka vizituar dhjetëra njerëz të ndryshëm për t’i bindur se korrigjimi është gjë e mirë. Njerëz si Batoni, duke e këshilluar Edi Ramën, janë përgjegjës për këto që po ndodhin”, tha ai.

“Projekti i korrigjimit ka qenë i vërtetë, ka qenë edhe harta, ua kanë prezantuar edhe hartat”, u shpreh Haradinaj.

Shumica e atyre që kanë qenë të kyçur në këtë temë, të gjithë ata që kanë qenë të kyçur.

“Z.Thaçi që e ka përkrah shkëmbimin e territoreve të maskuar përmes një korrigjimi të kufijve, ka nënkuptu ndarjen e Kosovës e ka ditë se kjo është ide serbe e kamotshme”, ka thënë mbrëmë Haradinaj.

Mirëpo sot gjatë ditës, ka reaguar përsëri kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

“Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bërë të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja! Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me bërllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cenuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur!”, tha Rama ekskluzivisht për topchannel.

Lexoni të plotë reagimin e Ramës:

Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena!

E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij.

Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën. Uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e berllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës.