Përurohen Ambulancat e reja Specialistike të ORL-së dhe Oftalmologjisë

Përurohen Ambulancat e reja Specialistike të ORL-së dhe Oftalmologjisë

22 January 2020 12:00

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot objektin e rinovuar të Ambulancave Specialistike të klinikës së ORL-së (Otorinolaringologjisë-klinika për sëmundje të veshit, hundës e fytit) dhe Oftamologjisë (Klinikës së syve).

Gjatë përurimit, siç njofton kumtesa nga kjo ministri, Ismaili ka thënë se ky objekt është i pajisur me aparaturë moderne për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta shëndetësore.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që shoh një objekt modern për ofrimin në mënyrë dinjitoze të shërbimeve shëndetësore”, tha Ismaili.

Ai theksoi se në objektin e ri do të bëhet e mundur shtimi i numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim, duke ruajtur kështu shëndetin dhe xhepin e tyre.

“Në këtë objekt të ri do të hiqen pabarazitë, shtohet numri i shërbimeve dhe do të zvogëlohen shpenzimet financiare të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë diku tjetër deri më sot”, tha Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se në objektin e rinovuar, pacientët dhe profesionistët shëndetësorë kanë kushte shumë më të mira për ofrimin dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore.

“Tani në një ambient të transformuar është një kënaqësi e veçantë pasi pacientët kanë ku të vijnë, duke respektuar radhën dhe duke pasur qasje në ambiente komode me pajisje moderne”, tha drejtori Sejdiu.

Drejtori i ORL-së, Hajdin Thaçi, deklaroi se përmes këtij investimi do të zvogëlohen edhe pakënaqësitë e pacientëve.

“Pas 30 vjetësh këto hapësira janë shndërruar në hapësira moderne të pajisura me gjithë infrastrukurën përcjellëse për shërbime dinjitoze për pacientët”, tha Thaçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme