20:47

Muhaxheri optimist se VV-ja do të pranojë ofertën e LDK-së për të formuar qeverinë

Gazmend Muhaxheri është shprehur optimist se Vetëvendosje dhe i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, do të pranojnë ofertën e LDK-së për të formuar qeverinë.

Sipas tij, marrëveshja do të arrihet dhe vendi shpejt do të ketë qeveri të re.

“Marrëveshje duhet dhe do të ketë. Jam prej natyrës optimist dhe mendoj se vendi ka nevojë për qeveri, sidomos të orientuar ndryshe e të marrë obligimet. Mandatari është në nivel tjetër. Ka detyrë. Tashmë s’je vetëm kryetar i Vetëvendosjes, por ke përgjegjësi shtesë para krejt qytetarëve të Kosovës, për t’i dhënë vendit qeveri. Po besoj që do të jetë në nivel të detyrës dhe do të reflektojë. Ai e ka detyrë të bëjë qeverinë. S’është si më herët që të negociohet. Tash e ka obligim t’i japë qeveri vendit”, ka thënë Muhaxheri duke përsëritur propozimin e LDK-së që kjo parti të ketë kryeparlamentarin deri kur të marrë postin e presidentit pas një viti.

Ai ka mohuar zërat se Kurti nuk është i gatshëm të marrë detyrën e kryeministrit.

“Vetë fakti që e ka marrë mandatin po tregon se e ka tejkaluar atë dyshimin se mund të ketë frikë prej të qenit kryeministër. Tash është në cilësi tjetër”, ka shtuar kryetari i Pejës.

Muhaxheri ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së tashmë s’do të mblidhet për të diskutuar ofertat e VV-së, por vetëm për të bërë marrëveshje.

20:30

Sipas Muhaxherit, të gjithë në LDK janë pro koalicionit me VV-në

Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka thënë se të gjithë në këtë parti janë pro koalicionit me Vetëvendosjen, përderisa ka shtuar se ka dallime në nuanca brenda anëtarëve lidhur me qëndrimin për një koalicion me këtë parti.

Ai ka thënë se edhe nënkryetari i partisë, Agim Veliu, që kishte qëndrime të kundërta me nënkryetaren Vjosa Osmani e cila ishte pro koalicionit, është pro koalicionit me VV-në.

Sipas tij, nëse brenda javës nuk arrihet marrëveshja me VV-në, LDK-ja do të shkojë në opozitë.

“Nëse nuk arrihet marrëveshja brenda javës, atëherë në do të shkojmë në opozitë. Oferta jonë ka qenë shumë gjeneroze dhe as sot kryesia nuk ka lënë opsion B. Ka mbisunduar te ne që duhet të ketë edhe një tentativë, që të mos jemi të ngushtë, por t’ia mundësojmë mandatarit edhe një mundësi. Në kryesi është instaluar debati dhe zhvillimi i mendimeve të ndryshme. Normalisht që s’jemi unison në mendime, por ka dallime në nuanca, të cilat njerëzit mundohen t’i stërzmadhojnë. Sa e kam pa sot (Veliu e Osmani) qëndrimet i kanë pas të përafruara, ndoshta i imi ishte më ndryshe se i atyre. Është nivel i zhvillimit të demokracisë brenda strukturave, sidomos në Këshill të Përgjithshëm e Kryesi. Ata nuk e shohin ndryshe koalicionin, kanë veç nuanca të vogla. Sot diskutimi ishte që jemi pro koalicionit me VV-në”, ka thënë Muhaxheri.

20:19

Muhaxheri: Nëse Kurti e Konjufca reflektojnë, nesër bëhet qeveria

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se nëse reflektojnë dy figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, për të pranuar ofertën e LDK-së, qysh nesër do të ketë qeveri të re të vendit.

Në Rubikon të KTV-së, Muhaxheri ka thënë se nëse VV-ja pranon që LDK-ja të ketë kryeparlamentarin në vitin e parë deri kur të zgjidhet presidenti, “qeveria është shumë lehtë të formohet”.

“Ne jemi pro koalicionit, pro respektit të votës. Ajo që është bë shumë e qartë është që LDK-ja s’ka opsion B. Ka opsion për t’i dhënë vendit qeveri, qeveri të dinjitetshme ku respektohet vota e qytetarëve, vota për LDK-në, për përfaqësim të denjë në qeveri. Mandatarit i takon të refelektojë që këtij vendi t’i jepet shpresë për qeverisje të re e të mirë, e për të zbatuar proceset që e presin. Ne kemi bë të qartë që qojmë parime në Këshill të Përgjithshëm jo letra apo pamflete politike. Kemi kërkuar të vëmë parime. Parimi ka qenë që LDK-ja të ketë një nga tri postet reprezentative, kryetarin e Kuvendit ose presidentin. I kemi bë ofertë gjeneroze që një vit kryeparlamentari t’i takojë LDK-së e kur të zgjidhet presidenti, mandatari t’i kthehet VV-së. Për me arrit një marrëveshje, mandatari është i obliguar edhe me vota edhe me mandatin që ka marrë për të krijuar qeverisje. E ka alternativçn. S’po themi që të shkarkohet Konjufca, mund të japë dorëheqje e të marrë poste të tjera. S’kemi votuar Papën, por një kryeparlamentar që mund të ndërrohet. Praktika ka dëshmuar se mund të ndërrohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është opsioni më i drejtpërdrejtë që të krijohet qeveria qysh nesër.

“Nëse mandatari e ka marrë seriozisht detyrën për të krijuar qeverinë, me LDK-në e ka të përfunduar marrëveshjen”, ka thënë ai teksa ka shtuar se nuk mund të komunikohet me video-mesazhe.

Sipas tij, veprimet e “njëanshme të VV-së kanë çuar në situatën që jemi”.