Arbëri

Nagavci e sheh pozitive deklaratën e Mustafës për arritje të marrëveshjes deri në fund të javës

Foto: Arkiv

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka komentuar deklaratën e LDK-së të dalë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

LDK-ja tha se marrëveshja e propozuar nga Ekipi negociues i LDK-së, e mbështetur në orientimet e Këshillit të Përgjithshëm, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që, sipas kësaj deklarate, janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe për demokracinë në vend.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, kërkoi nga LVV-ja që deri në fund të javës t’i jepet epilog kësaj çështjeje duke vendosur a duan të shkojnë në koalicion apo jo.

E Nagavci, përmes një postimi në Facebook, tha se e vlerëson takimin e Kryesisë së LDK-së dhe tha se e sheh si hap përpara në arritjen e marrëveshjes.

Ajo tha po ashtu se pajtohet “plotësisht” me deklaratën e kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili tha se, “jemi të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Marrëveshja duhet të vë në pah një qeveri të balancuar dhe me përgjegjësi të balancuara mes dy palëve në harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre…”.

“Në linjë të njëjtë është edhe LV, andaj dhe në propozimet tona kemi ofruar që të ndajmë në mënyrë të barabartë marrjen e përgjegjësive në qeverisje, ose madje më shumë se balancim të qeverisjes duke i besuar LDK-së udhëheqjen e 6 ministrive përderisa ne do të qeverisim me 5 ministri. Sa i përket ndarjes së pushteteve, këtë e përcakton Kushtetuta në nenin 4 dhe LV është e prirë dhe zotohet për respektimin e saj të plotë. Sipas Kushtetutës, tashmë kemi pushtetin legjislativ të dalë nga votimi i drejtpërdrejtë dhe Kryetarin e Kuvendit që është votuar nga 75 deputetë”, tha Nagavci.

Nënkryetarja e Kuvendit më tej tha se “duhet të punojmë që brenda afatit kushtetues të votojmë Qeverinë dhe të ndajmë përgjegjësitë ekzekutive”.

Pastaj, tha se “duhet të zotohemi për angazhimin e përbashkët në zgjedhjen e Presidentit Konform Kushtetutës”, ndërsa theksoi se “duhet të mobilizohemi për profesionalizëm të plotë e krijim të kushteve për çkapjen e pushtetit gjyqësor dhe të institucioneve që mbrojnë rendin kushtetues, integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike”.

“Besoj se një marrëveshje e tillë plotëson pritshmëritë dhe respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pasi kemi një shprehje deklarative të vullnetit të përfaqësuesve të LDK-së, pres që kjo të realizohet edhe praktikisht. Shumë mirë që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të javës. Unë po e shoh si vullnet e gatishmëri, uroj të mos jetë kushtëzim apo ultimatum (si po e interpretojnë disa media). Dhe kur ky vullnet ekziston s’ka asnjë kusht parimor që mund të pengojë”, ka përfunduar Nagavci.