Dëbimi i diplomatëve, Irani thotë se Shqipëria “nuk është në rrugën e duhur” Në foto, Abbas Mousavi. Foto: AP

Dëbimi i diplomatëve, Irani thotë se Shqipëria “nuk është në rrugën e duhur”

20 January 2020 21:13

Irani është deklaruar për herë të parë për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria.

Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, ka dënuar veprimin e Shqipërisë, duke thënë se Irani “shpreson që Shqipëria do të rikonsiderojë” këtë veprim.

“Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë do të rikonsiderojë çështjen dhe të parandalojë afektimin e marrëdhënieve mes dy vendeve nga një palë e tretë”, citon agjencia iraniane e lajmeve “irna” të ketë thënë Mousavi.

“Ndiejmë se qeveria shqiptare ka bërë disa gabime dhe i ka bërë ato pa ndonjë dëshmi. E dënojmë këtë veprim dhe shpresoj që qeveria e Shqipërisë do të kthehet në rrugën e duhur”, citon më tej “RT” të ketë thënë Mousavi, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se, nën masa të forta sigurie dhe në sekret të plotë, oficerët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe SHISH në Shqipëri, mbrëmjen e të shtunës dëbuan diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.

Burime të TopChannel thanë se 20 oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit shoqëruan të dy diplomatët së bashku me familjet e tyre nga apartamentet ku banonin në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Disa ditë më parë, Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme tha se dy diplomatët iranianë shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme