Ogasawara: Kosova, vend kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor Foto: Alban Bujari / Koha

Ogasawara: Kosova, vend kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Nita Lleshi Nita Lleshi 20 January 2020 06:45

Kosova është një vend strategjik për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kështu ka deklaruar Mitsunori Ogasawara, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, në intervistën për “Koha Ditore”. Duke folur nga zyra e tij e re në Prishtinë, ai ka thënë se po qe se rajoni është stabil, atëherë kjo gjë i kontribuon paqes dhe stabilitetit në të gjithë Evropën.

Ogasawara ka marrë që nga 1 janari detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e parë të Japonisë në Kosovë. Pas më se dhjetë vjetësh marrëdhënieje diplomatike, të mbuluara përmes Ambasadës në Vjenë të Austrisë, Japonia hapi zyrtarisht një përfaqësi diplomatike në Prishtinë, në fillim të këtij viti. Dhe hapjen e kësaj ambasade, Ogasawara e quajti njërin prej vendimeve më të mëdha të Qeverisë japoneze qysh prej shpalljes së iniciativës së kryeministrit, Shinzo Abe, për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor më 2018, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por edhe para kësaj, Qeveria japoneze ka qenë aktive në Kosovë me projekte të ndryshme të asistencës dhe investimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe sportive. Pasi që në mars të vitit 2008 u bë njëra prej vendeve të para të botës që e njohën Kosovën shtet të pavarur, Japonia krijoi vetëm një vit më vonë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën.

Duke qenë ende në muajin e parë të angazhimit të tij të ri, pas atij të sekretarit të parë të Ambasadës japoneze në Vjenë, të angazhuar për Kosovë, Ogasawara pret që me hapjen e Ambasadës marrëdhëniet midis dy vendeve të thellohen edhe më tej.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme