4 perditesime
21:29

VV-ja s’ka ofertë tjetër për LDK-në, paralajmëron shkuarjen në zgjedhje

Negociatat mes Vetëvendosjes e LDK-së për formimin e qeverisë janë drejt fundit. Kjo është konfirmuar nga dy deputetët e VV-së, Albulena Haxhiu dhe Liburn Aliu, që në Rubikon kanë thënë se oferta drejt LDK-së me propozimin për rritjen e numrit të ministrive është e fundit. Nëse kjo dështon, ata kanë paralajmëruar zgjedhjet e reja.

“Oferta që i kemi bërë LDK-së është e fundit. Është e fundit me kompromisin që kemi bërë vetëm për hir të koalicionit. Nëse s’ka alternativë, partnerë të vetëm e kemi parë LDK-në për dallim nga individët brenda partisë që deklarohen se ka opsion A, B, C e ka zyrtarë të saj që kanë thënë se mund të bëhet qeveria pa VV-në. VV nuk ka çka jep më shumë. Ajo çka kemi ofruar ne është maksimalja, është oferta e fundit”, ka thënë Haxhiu. “Hapi tjetër s’është hiq i dëshirueshëm, por janë zgjedhjet. Shohim zgjedhjet e pastaj flasim. Alternativa jonë A është të bëjmë koalicion me LDK-në. B janë zgjedhjet e reja që hiq s’i dëshirojmë. Kërkesa e LDK-së s’ka pas mbështetje te qytetarët e Kosovës. E dimë sepse kemi struktura”.

Në anën tjetër deputeti Aliu ka thënë se Vetëvendosje ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14 vetëm për të balancuar ministritë me postin e kryeparlamentarit, që tashmë e ka kjo parti.

“Kemi situatë në Kosovë për të cilën fajtorët kryesorë i kemi bërë PAN-in. Ishim me LDK-në në opozitë e bëmë përpjekje për bashkëpunim dhe patëm bashkëpunim që krijoi marrëdhënie mirëbesimi. Por kjo s’bëhet me dhunë, jo me zor. Kurti s’mund të bëhet kryeministër pa i marrë votat e LDK-së. Po tash po të marrim modelet e mëhershme kur vetëm për t’u bërë kryeministër u hoq dorë nga çdo parim dhe u cenua vullneti i votuesve ne s’duam ta bëjmë këtë. Ne duam ndryshe, të respektojmë vullnetin e votuesve. Dolëm forcë e parë, LDK-ja e dytë. Pati përpjekje, e propozime në vazhdimësi. Ishim të gatshëm për kompromise por jo deri në pikën kur cenohet integriteti politik i një subjekti. S’mund të pranohet që të votohet kandidati im për president pa emër, por do ta votoj nëse pajtohemi, këtë duam t’ia shtojmë fjalisë. Tash nëse duam qeveri, atë që e kemi votuar kthemani prapa. Kryeministrin e kanë vendos qytetarët, kryeparlamentarin i takon me kushtetutë subjektit të parë, por po e kompensojmë me ministri do ta balancojmë me ministri”, ka thënë Aliu.

Të dy megjithatë kanë thënë se s’mund të thonë me ditë se sa do të presin deri në arritjen e marrëveshjes me LDK-në, ndërsa kanë ftuar që qytetarët të mos humbin durimin sepse “ajo që po bëjmë ne është tregues se si do të qeverisim në të ardhmen”.

20:50

VV-ja refuzon propozimin e LDK-së për kryeparlamentarin, e quan tallje

Dy deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, e kanë quajtur tallje propozimin e fundit të LDK-së që kjo parti të marrë kryeparlamentarin deri në kohën kur të zgjidhet presidenti i ri.

Sipas tyre, ky është propozim i dëmshëm. Ata kanë thënë se nuk mund të shkarkohet Glauk Konjufca i VV-së nga posti i kryeparlamentarit “sepse ai ka marrë votat e deputetëve”.

“Meqenëse kemi mbërri këtu ku s’kemi dëshiruar, pas gjithë përpjekjeve që të bëjmë marrëveshje për kryeparlamentar e s’kemi arritur e u votua me votat e deputetëve e s’do të ishte mirë që dy persona të ulen e të shkarkojnë një person që ka marrë votat, do të ishte e dëmshme të bëjmë shkelje, një tërheqje. Po ulen dy përfaqësues, kryetarë partish për të shkarkuar një person të votuar”, ka thënë Aliu në Rubikon të KTV-së. “Andaj po bëjmë propozim të dëmshëm. Po marrim vet përgjegjësinë, po e rrisim numrin e ministrive në 14. Më e rëndë është çështja e kthimit të votës së deputetëve sesa ndryshimi i atij vendimit për 12 ministri”.

“Ofertën e bëmë publike pasi Veliu tha se është joserioze. Pastaj edhe këta e bënë publike ofertën e datës 8 janar. Sipas kësaj oferte kërkohet nga VV-ja të tërheqë kryeparlamentarin dhe pas dy vitesh kur të zgjidhet presidenti, të kemi kthimin e kryeparlamentarit. Kjo i bie që të kërkojmë dorëheqjen e Konjufcës. Vendimi i tillë i prapakthimit pas gjithë atyre përpjekjeve është me kosto të madhe edhe për VV-në edhe për Konjufcën edhe për personalitetin e tij e të Kurtit e të zotit Mustafa, të cilët në mënyrë arbitrare shkarkojnë një person si vendim të parë demokratik pasi të bëjnë qeverinë. Le të bëhet inicim për shkarkimin e tij është diçka tjetër. Do të mund të dorëhiqej nëse bën vepër të rëndë. S’mund të përgjigjemi me po ose jo. Nëse kërkohet që dy persona të ulen sikur dy diktatorë që një vendim të Kuvendit, vendimin e parë të Kuvendit, ta shkarkojnë kështu, është fyerje edhe për institucionin. Andaj një gjë e tillë është e papranueshme për VV-në e andaj ishte një propozim i tillë që të mos bëhet e për të përballur këtë jemi të gatshëm të rrisim qeverinë, për hir që të mos bëhet ajo”, ka shtuar Aliu.


Lexoni edhe: 

LDK-ja publikon propozimet që ia ka bërë VV-së


“Madje kjo është tallje nga LDK-ja”, ka shtuar Haxhiu. “Është tallje me institucionin. Dorëhiqu ti, dorëhiqu ai....”

Ata kanë thënë se “VV-ja tashmë ka bërë shumë kompromise, duke nisur nga programi e duke i dhënë pesë ministri LDK-së”.

Sipas tyre, VV-ja s’ka çka ofron më shumë.

20:39

Haxhiu e Aliu dyshojnë në bashkëpunimin e LDK-së

Deputetët e VV-së, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, në Rubikon të KTV-së kanë shprehur dyshimin se LDK-ja dëshiron bashkëpunim me VV-në.

Duke folur për mosarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, ata kanë thënë se interesi për të bërë koalicion shprehet me veprime e se tash ka dyshim se LDK-ja s’dëshiron bashkëpunim, pasi ka refuzuar propozimet e VV-së.

Sipas Haxhiut, besimi mes dy subjekteve politike ndërtohet gradualisht. Ajo ka thënë se kryetari i VV-së Albin Kurti nuk do të japë poste ambasadorësh apo terminale doganore për të bërë dikë president.

“Besimi ndërtohet gradualisht. Ta zëmë nëse ne brenda një viti do të fillonim me punët që na presin, me reformat, kështu ndërtohet besimi nëse sot është i luhatur apo s’ka besim. Ishim të bindur se do të merrnim më shumë se 61 deputetë e do të na duheshin pak vota shtesë. Ishte fryma ashtu. Andaj pati kuptim, sot kur ne si VV kemi 29 deputetë e LDK-ja ka 28, një kryeministër si Albin Kurti për t’u bërë dikush president as nuk jep terminale as s’bën ambasador. Ka ndodhur në të kaluarën. Si u bë Thaçi president?” ka thënë ajo.

“Interesi për të bërë koalicion shprehet me veprime...” ka deklaruar më tej Haxhiu, teksa Aliu ka shtuar se “Gjithmonë me kohën e kam një dyshim (në interesin e LDK-së për bashkëpunim)”.

20:24

Aliu: VV-ja s’është kundër që LDK-ja të propozojë kandidatin për president, por duam emrin

Image

Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se kjo parti nuk është kundër që propozimi për president të jetë nga radhët e LDK-së. Megjithatë, ai ka thënë se atyre u duhet një emër para se të japin premtimin se do ta votojnë.

“Për neve ka qenë normale që propozimi të jetë dikush nga LDK, por nuk mund të pranojmë një bllanko mbështetje sepse ata pastaj kanë mundësinë të zgjedhin kë të duan”, ka thënë ai.

Sipas tij, është problematike që kryetari i VV-së ose grupi negociues të japë premtim për votat bllanko të të gjithë deputetëve të vet. Ai ka thënë se kjo nuk është njëjtë sikur me votimin e Albin Kurtit për kryeministër.

Megjithatë, edhe Aliu edhe Haxhiu kanë thënë se tashmë janë pajtuar me LDK-në për pikën e presidentit.

20:19

Haxhiu: Para zgjedhjeve menduam për dy mandate, tash po flasim për një mandat qeverisës me LDK-në

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se VV e LDK e kanë përfshirë postin e presidentit në negociatat para zgjedhjeve të tetorit, sepse në atë kohë “ishin rrethana tjera prej atyre që janë sot”. Sipas saj, dy partitë atë kohë mendonin për të bashkëqeverisur për dy mandate, e tash po flasin për një.

Image

Në Rubikon të KTV-së, Haxhiu ka thënë se kanë refuzuar idenë e LDK-së që të përfshijnë postin e presidentit në marrëveshje sepse “kemi menduar që duhet të jetë një kandidat konsensual” si dhe “nuk duhet të flasim për poste ku aty tashmë janë njerëzit, në këtë rast Hashim Thaçi”.

“Ne nuk mund të kthehemi as para 6 tetorit, as para 26 dhjetorit. Për ne ishte e papranueshme qasja e tillë dhe rrjedhimisht nuk kemi pranuar të përzihej çështja e presidentit. Kanë qenë rrethana të tjera para zgjedhjeve. U përfshi çështja e presidentit atëherë sepse ne menduam një mandat tetëvjeçar. Sot po flasim për katërvjeçar. S’mund të flasim për situata para 6 tetorit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se arsye tjetër pse VV-ja ka refuzuar përfshirjen e postit të presidentit në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishte se nuk mund “të jepeshin votat bllanko pa ditur një kandidat”.