Me likuidim fizik dhe hyrje në shtëpi të saj, është kërcënuar të shtunën prokurorja speciale, Drita Hajdari.
Hajdari, përmes telefonit, ka konfirmuar se ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën, përmes rrjetit social Facebook.
Prokurorja, e cila kishte ngritur njërën prej aktakuzave më të përfolura për rastin e njohur si “Pronto”, ka thënë se rastin e ka paraqitur në polici dhe se këto kërcënime vijnë pas fushatave linçuese ndaj saj, raporton KTV.
Më tutje, Hajdari ka thënë se me rastin e saj është duke u marrë Departamenti për krime të rënda.
Ndërsa Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, vetëm ka konfirmuar se është duke e trajtuar rastin e Hajdarit, duke mos dhënë detaje më shumë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, shkurt ka thënë se pas marrjes së deklaratës nga Hajdari, Policia, në koordinim me Prokurorinë, do ta trajtojë rastin.
Kërcënimet ndaj Hajdarit u bënë vetëm pak ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i liroi si të pafajshëm 11 të akuzuarit në rastin “Pronto”, në mesin e tyre ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, dhe 9 të tjerë.
Ata u liruan me arsyetimin se nuk është provuar se të akuzuarit e kishin kryer këtë vepër penale.