Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se interesimi i opinionit dhe vëmendja për çështjet që janë me interes të përgjithshëm është i natyrshëm dhe i pritshëm.
Sipas saj, pa marrë parasysh se cilat janë motivet e interesimit, është legjitime e drejta për të ditur.
“Por nuk duhet harruar se shpesh herë ndalimi për të sqaruar gjithçka, mund të na pengoj për të arritur qëllimin final. Andaj dhe duhet durim e angazhim për të arritur te caku”, ka shkruar ajo.
Nagavci thotë se në Kryesinë e Vetëvendosjes i kanë deleguar detyrën e zhvillimit të bisedimeve grupit punues, deri në gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët.
“Andaj dhe me besimin e plotë tek Kryetari Kurti dhe kolegët tanë ftoj për durim. Në momentet e rëndësishme, përkundër tensionit e presionit, e madje pikërisht për këtë, vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Dëshira për zgjidhje të shpejta e arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura, të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë.