Arbëri

Mbajtja hapur e dialogut, prioritet i Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së

“Të mbajmë dialogun të hapur në një bashkësi shtetesh edhe kur të gjitha shanset janë kundër saj”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama, para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ku paraqiti përparësitë e Shqipërisë në kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë gjatë vitit 2020.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama veçoi dialogun mes vendeve si përparësi të kryesisë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020.

“Jam këtu duke marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe me shumë përulësi presim me padurim thjesht që të bëjmë më të mirën, duke mos pretenduar të bëjmë më shumë se sa më të mirën. Pres me padurim të dëgjoj zërin tuaj dhe tonë, si një dialog që do të zgjasë një vit të tërë dhe me shpresë do të na sjellë të gjithëve në një vend më të mirë se sa jemi sot (dhe këtu nuk e kam fjalën për Vjenën)”, tha Rama.

Rama përgëzoi ekipin sllovak që ka kryesuar në mënyrë të dalluar OSBE-në gjatë vitit të shkuar që ishte sfidues.

“Mblidhemi sot këtu për të shënuar fillesën e kryesisë shqiptare. Jam besimplotë se rruga që është shtruar nga kryesia sllovake do të na shërbejë për këtë. Do të jetë detyra e Shqipërisë për të bashkërenduar përpjekjet tona kolektive në kuadër të sfidave tona të përbashkëta”, shtoi ai.

“45 vjet më parë, kur u themelua OSBE, Shqipëria ishte e vetme, vërtetë një Kore e Veriut e Europës, një shoqëri e izoluar në mënyrë kokëforte dhe e nxitur nga urrejtja kundër botës së lirë. Shqipëria ishte i vetmi shtet europian, që jo vetëm refuzoi të bëhej pjesë e OSBE-së, por edhe të denonconte krijimin e saj në momentin e vetëkrijimit si një shprehi e degjenerimit moral të vetë anëtarëve të saj. Asaj kohe unë kam qenë një pioner me shall të kuq në qafë, ndërkohë që sot ju drejtohem si kryetar i kësaj organizate të 57 vendeve dhe më shumë se 1 miliard banorësh nga Vankuveri në Vladivostok. Çfarë jete për brezin tim në një periudhë të pabesueshme transformimesh historike për botën”, tha ai.

Rama i kushtoi një homazh të gjithë atyre që luftuan si mundën dhe vuajtën në burgim apo internim për lirinë e Shqipërisë.

“Falënderoj ata që kanë kontribuar fort në rrugëtimin e vështirë të tranzicionit demokratik nga një diktaturë brutale në një demokraci funksionale. Duke përfshirë të gjithë ata që na kanë shoqëruar në këtë rrugëtim sfidues, mes tyre OSBE ka qenë një prej pranive kyçe. Më lejoni t’ju rrëfej se nuk më pëlqente shumë OSBE ndërkohë që partia ime ishte në qeveri më dukej shumë e ashpër, ndërsa në krye të opozitës më dukej shumë e butë. Pavarësisht këtyre shakave një gjë është e qartë si kristal: nëse hedh sytë pas dhe imagjinoj rrugëtimin e Shqipërisë drejt ndryshimit pa praninë e OSBE-së, kjo është thjesht e pamundur”, shtoi Rama.

Rama tha se “OSBE-ja mund të mos jetë në gjendje që të zgjidhë të gjitha problemet, por pa OSBE-në, gjithçka që ne dëgjojmë do të ishin më shumë probleme për t’u zgjidhur”.

Kryeministri tha se “ndjen sot përgjegjësinë e jashtëzakonshme si dhe mundësinë e madhe që të jap diçka mbrapsht për organizatën tonë, pasi OSBE i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë në kaq shumë vjet”.

“Ndërkohë që Europa shënjohet nga konfliktet dhe bota nuk është në formën e saj më të mirë puna jonë në një organizatë kaq unike dhe me përvojë si dhe vullneti i mirë i gjithë anëtarëve të saj është i nevojshëm edhe më shumë. Për të qenë kuptimplotë dhe relevante, paqja dhe demokracia nuk duhet të jenë thjesht fjalët tona kyçe të përbashkëta dhe horizonti ynë i përbashkët, por duhet të jenë objektivat tona të përbashkëta për organizatën dhe këtë Këshill të nderuar. Unë besoj se parimet bazë të Helsinkit, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbeten ende sot, siç ishin në të shkuarën, një recetë e thjeshtë dhe efektive”, tha Rama.

Rama tha se “kjo është arsyeja se pse kemi zgjedhur të zbatojmë angazhimet së bashku si moton e kryesisë shqiptare të OSBE-së”.

“Kjo shprehje përmban 3 elemente kryesore: Së pari, rëndësinë për të nderuar angazhimet dhe detyrimet tona të përbashkëta sepse nuk mund të marrim në mënyrë të besueshme angazhime të reja në qoftë se nuk respektojmë ato ekzistuese. Së dyti të përqendrohemi te instrumentet e vlefshme që zotërojmë dhe së treti që përgjegjësia jonë të bashkëndahet mes të 57 vendeve. Që kryesia të çojë para agjendën e përbashkët duhet që të kemi vizion e vullnet politik të përbashkët që është thelbësor”, tha Rama.

Për këtë arsye, ai tha se “përparësia e kryesisë shqiptare të OSBE-së mbështetet në vendosmërinë tonë për ta nisur nga bazat dhe për t’i bërë ato sa më mirë”.

“Së pari, të bëjmë dallimin në terren. OSBE-ja e ka dëshmuar kohë pas kohe se mund të dislokohet në mjedise konflikti dhe paskonflikti shpesh aty ku dhe askush nuk mundet. Ne duhet të promovojmë punën e organizatës sonë aty ku është pranë njerëzve tanë”, tha Rama.

“Ndërkohë që kriza në Ukrainë e përreth saj mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Europë, kontributi unik i ofruar nga misioni i posaçëm monitorues për të reduktuar tensionet dhe për të nxitur paqen, stabilitetin dhe sigurinë është thelbësor. Ndërkohë që ka pasur sinjale inkurajuese që i përgëzojmë, rruga për paqen e qëndrueshme mbetet, siç të gjithë e dimë, e gjatë. Kryesia shqiptare do të bëjë rolin e saj për të inkurajuar respektimin e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh dhe procesin e formatit të Normandisë”, tha Rama.

Ai theksoi se “Misioni i Posaçëm dhe Ukraina do të jenë po ashtu destinacion i vizitës time të parë në javët në vijim, si kryesues i OSBE-së.

“Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të axhendës sonë dhe sidomos në atë të bashkëkryesuesve të grupit të Minskut të OSBE-së, të diskutimeve ndërkombëtare të Gjenevës dhe mekanizmave përkatëse si dhe procesin e zgjidhjes Trans-Dniestriane”, tha ai.